Ylli i Juventusit: Pogba është i mirëseardhur të kthehet

  • 10 December 2018 - 17:12
Ylli i Juventusit: Pogba është i mirëseardhur të kthehet

Mesfushori i Juventusit, Miralem Pjanic, i ka nxitur edhe më shumë spekulimet për një kthim të mundshëm të yllit të Manchester Unitedit, Paul Pogba, te “Zonja e Vjetër”, duke thënë se ai është i mirëseardhur të kthehet.

Për 25-vjeçarin është spekuluar që nga fillimi i afatit kalimtar të verës së kaluar se ai mund të kthehet në Juventus, pasi që ishte transferuar te klubi i tij paraprak, Manchester United, verën e vitit 2016.

Pogba i kishte kaluar katër sezone mjaft produktive në Itali, dhe ai pritej që të shkëlqente në të njëjtën mënyrë edhe në Premierligë, mirëpo përkundër çmimit të lartë që “Djajtë e kuq” paguan për të, 100 milionë euro, ai nuk ka arritur t’i përsërisë paraqitjet e tij në ligën angleze.

Ai është kritikuar shumë herë se nuk i intereson për klubin dhe se nuk bën paraqitje të mira në vazhdimësi. Këto kritika, si dhe zënkat me trajnerin Jose Mourinho, kanë bërë që Pogba ta kërkojë largimin nga Manchester Unitedi

“Është ëndrra e tifozëve. Klubi i ka transferuar shumë lojtarë të mrekullueshëm dhe synon ta përmirësojë skuadrën edhe më shumë. Ai do të jetë i mirëseardhur këtu përsëri”, ka thënë Pjanic për Rai Sport.

(Kosova Sot)