Mourinho: Askush nuk e do Manchester Unitedin më shumë se unë

  • 12 December 2018 - 13:43
Mourinho: Askush nuk e do Manchester Unitedin më shumë se unë

Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, i ka kundërshtuar spekulimet se ai dëshiron të largohet nga klubi anglez, duke thënë se askujt në botë nuk i intereson më shumë se atij për “Djajtë e kuq”.

Pozita e portugezit në klubin e Premierligës është vënë në dyshim gjatë këtij sezoni për shkak të paraqitjeve dhe rezultateve të dobëta, si dhe për shkak të lajmeve për përleshje mes tij dhe lojtarëve të tij.

Në fundjavë, agjenti i Mourinhos, Jorge Mendes, kishte thënë se portugezi është shumë i lumtur me klubin dhe anasjelltas. Mirëpo, Mourinho ka mohuar të ketë qenë i informuar për këto deklarata.

“Cila deklarata? Jo, nuk kam të bëj asgjë me atë deklaratë, është thjesht një deklaratë dhe nuk është deklaratë e imja. Jo, nuk dija asgjë për këtë dhe as që më intereson”, ka thënë Mourinho në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Valencias.

“Nganjëherë ka një perceptim, në të gjithë botën, se tifozëve iu intereson më shumë për klubin sesa profesionistëve, dhe kjo është plotësisht e gabuar. Askujt në Mançester ose që është i lidhur me Mançesterin nuk i intereson më shumë për klubin se mua”.

“Dhe para tri viteve, unë nuk isha në Mançester dhe isha shumë larg të qenit i lidhur me Mançesterin. Ne, profesionistët, ndiejmë gjithçka, çdo ditë dhe çdo sekondë”

(Kosova Sot)