Pushimet e gjata, telashe për klubet e futbollistët

  • 13 December 2018 - 08:46
Pushimet e gjata, telashe për klubet e futbollistët

Pranvera mund të sjellë shumë ndryshime sa u përket klubeve të elitës 

"Nëse e bëjmë një krahasim para 7-8 vjetësh me sot, dallimi në infrastrukturë është shumë i madh. Tash nuk ka qytet ose klub në Superligë që nuk e ka një fushë me bar artificial, gjë që u mundëson trajnerëve të vazhdojnë punën me top që nga fillimi dhe kjo bën të besojmë se nuk do të ketë rënie të formës së lojtarëve", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Valmir Bytyçi

Për dallim nga vitet e kaluara, kur Superliga e Kosovës në futboll ishte e detyruar të pushonte gjatë dimrit pothuaj 3 muaj, kjo për shkak të infrastrukturës tejet të keqe që kishte, këtë vit gjërat janë përmirësuar dhe ky pushim ka nisur të reduktohet dukshëm. Por, për analistët prapë pushimi pre 2 muajve ndërmjet dy stinoreve, sa do të jetë sivjet, është i gjatë dhe mund të ketë telashe te lojtarët. Megjithatë, kështu nuk mendon edhe ishportieri i mirënjohur pejan, Valmir Bytyçi, sipas të cilit, nëse bëhen krahasimet e kushteve aktuale me ato të viteve të kaluara, gjërat kanë ndryshuar plotësisht dhe pothuajse asnjë skuadër nuk ka pa fushë ndihmëse me bar artificial, çka mund të punojë pa problem edhe gjatë fazës së dimrit. Kjo edhe bën të besohet se ky pushim nuk pritet të ketë ndikim në formën e lojtarëve, pasi ata kanë mundësi të punojnë me top gjatë gjithë kohës.

Futbolli po ndryshon

Gardiani pejan Valmir Bytyçi, i cili aktualisht është trajner te grupmoshat e Kombëtares së Kosovës, ka thënë se futbolli ynë ka nisur të përmirësohet dukshëm dhe se në një të ardhme të afërt, cilësia do të jetë e barabartë me shtetet përreth, kjo falë infrastrukturës shumë më të mirë që është tash. "Nëse e bëjmë një krahasim para 7-8 vjetësh me sot, dallimi në infrastrukturë është shumë i madh. Tash nuk ka qytet ose klub në Superligë që nuk e ka një fushë me bar artificial, gjë që u mundëson trajnerëve të vazhdojnë punën me top që nga fillimi", ka thënë Bytyçi për gazetën "Kosova Sot", dhe kjo është arsyeja të besohet se ritmi i lojtarëve nuk do të bjerë gjatë pushimit të dimrit. "Klubet do të bëjnë pushime vetëm për festat e fundvidit, çka i bie maksimumi do të jetë 2 javë pushim aktiv, pasi menjëherë në janar ato fillojnë përgatitjet dhe duke e parë që tash kemi fushë me bar artificial që mund të stërvitet lirshëm me top gjatë dimrit, atëherë konsideroj që ka mundësi që futbollistët të mbajnë formën që kishin, ose të kenë një rënie, ama rëni shumë të vogël", ka vlerësuar për gazetën "Kosova Sot", Valmir Bytyçi.

Pranvera më ndryshe

Sa i përket stinorit pranveror, trajneri pejan pret një pranverë shumë më të fortë, por nuk e përjashton mundësin që disa klube gjatë afatit kalimtar edhe të kenë rënie kjo për shkak të financave dhe mosmundësisë së përforcimeve. "Ne nuk mund të presim që gjitha klubet të kenë paraqitje të njëjtë në pranverë, sepse dihet që afati kalimtar mund ta dëmtojë ndonjë klub, e në anën tjetër ta forcojë klubin tjetër, kjo varet nga financat. Unë besoj që klubet në kreun e tabelës do ta kenë fjalën kryesore me blerje cilësore, ku edhe mund të presim paraqitje krejt të tjera nga ato të vjeshtës", ka përfunduar Valmir Bytyçi.

 

(Kosova Sot)