Coutinho i viziton ish-bashkëlojtarët e Liverpoolit

  • 13 December 2018 - 16:47
Coutinho i viziton ish-bashkëlojtarët e Liverpoolit

Ylli i Barcelonës, Philippe Coutinho, është kthyer te ish-klubi i tij, Liverpooli, mirëpo këtë herë vetëm për t’i vizituar ish-bashkëlojtarët e tij. Ai ishte i ftuar në festën për ditëlindjes e bashkëshortes së Roberto Firminos.

Pas pesë sezoneve mbresëlënëse me Liverpoolin, Coutinho u transferua te gjigantët katalonas, Barcelona, gjatë afatit kalimtar të janarit për rreth 150 milionë euro, si zëvendësues i Neymarit.

Mbrëmë, braziliani u kthye në Liverpool për të marrë pjesë në festën e ditëlindjes së bashkëshortes së Firminos, Larissa Pereiras. Pjesëmarrësit në këtë festë, ndër të cilët ishin yjet e Liverpoolit, postuan video dhe fotografi në llogaritë e tyre në rrjetet sociale.

Në disa prej këtyre fotografive dhe videove, Firmino u pa duke buzëqeshur përkrah Morenos dhe bashkëkombësit të tij, Fabinho. Coutinho luan edhe me Fabinhon edhe me Firminon për kombëtaren e Brazilit, ndërsa me Morenon ka luajtur për 3 sezone e gjysmë në Anfield.

“Më ke munguar shumë, vëlla”, ka shkruar në videon që e ka postuar në llogarinë e tij në Instagram.

Para se të largohej nga Liverpooli, Coutinho i kishte bërë 201 paraqitje për anglezët, gjatë të cilëve i shënoi 54 gola dhe i bëri 45 asiste. Ndërsa, përkundër një lëndimi, ai i ka bërë 20 paraqitje për Barcelonën këtë sezon, gjatë të cilave i ka shënuar pesë gola dhe i ka bërë katër asiste.

(Kosova Sot)