Rexha: Pas Dritës, titullin e festoj me Feronikelin

  • 14 December 2018 - 08:51
Rexha: Pas Dritës, titullin e festoj me Feronikelin

"Nëse më pyesni për ndonjë emër të veçantë, se kush e meriton ta fitojë epitetin e futbollistit të vitit, them të drejtën nuk mund të flas për asnjë. Ka qenë një kampionat interesant dhe unë nuk kam parë asnjë futbollist që ka bërë diferencë të madhe sa për t'u përcaktuar për atë që ta fitojë 'Topin e Artë'", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Kastriot Rexha

E dicionin e kaluar Feronikeli pas fazës së parë të kampionatit, pra stinorit vjeshtor, veçse kishte hequr dorë nga lufta për titull të kampionit, duke u fokusuar kryesisht në mesin e tabelës. Por sivjet gjërat kanë ndryshuar krejtësisht. Tash kur ka përfunduar pjesa e parë e kampionatit, Feronikeli është njëri nga kandidatët kryesorë për ta fituar titullin e kampionit dhe jo vetëm. "Nikli" është favorit i madh edhe për Kupën e Kosovës ku në çerekfinale do të ndeshet me Ferizajn dhe bazuar në potencialin e këtyre dy skuadrave, atëherë Feronikeli shumë lehtë pritet të jetë në gjysmëfinale. Njëri nga futbollistët kryesor të Feronikelit Kastriot Rexha, i cili edicionin e kaluar festoi titullin e  kampionit me Dritën, thotë se këtë kampionat dëshiron që këtë festë ta bëje me Feronikelin, pasi vërtet kanë skuadër të mirë dhe potencial për ta arritur këtë sukses. Feronikeli i tashëm dallon shumë nga ai i kaluari "Edicionin e kaluar e kam pas mbyllur në mënyrë fantastike me Dritën duke u shpallur kampion dhe duke e shndërruar Dritën që ishte për 3 vjet radhazi në barazh një skuadër shumë të fortë. Këtë vit jam pjesë e Feronikelit dhe është duke shkuar gjithçka sipas parashikimeve", ka thënë në fillim të bisedës për gazetën "Kosova Sot" sulmuesi shtatgjatë, Kastriot Rexha. "Feronikeli është duke shkuar shumë mirë dhe jam mjaft i kënaqur me këtë, duke marrë parasysh se 'Nikli' vitin e kaluar i kishte humbur gjasat për titull dhe për Kupë shumë herët, ndërsa tash është në luftë për të dy këta trofe. Kemi një skuadër shumë cilësore dhe besoj se do t'ia dalim", ka thënë Rexha për "Kosova Sot", duke folur më pas edhe për formën e tij personale. "Jam shumë i kënaqur me këtë formë që po kaloj, duke marrë parasysh se kam kaluar në një ambient tjetër me shumë futbollistë që nuk kam luajtur më parë. 7 gola në kampionat dhe 1 në Kupë në këtë 6- mujor mendoj se janë shpresë se 6- mujorin e ardhshëm do të jem edhe më frutdhënës se tash", ka vlerësuar shtatlarti Rexha. Lojtari i vitit nuk e shqetëson Kanë mbetur edhe një javë kur Federata e Futbollit e Kosovës do të zgjedhë futbollistin më të mirë të vitit. Rexha, i cili është cilësuar si njëri nga futbollist kryesor në suksesin e Dritës, por edhe tash në fanellën e Feronikelit, mund të jetë njëri nga kandidatët kryesorë për ta fituar këtë trofe. Megjithatë, vetë Rexha nuk brengoset për këtë gjë duke thënë se janë profesionistët ata që e zgjedhin dhe le të vendosin ata vetë. "Nëse me pyesni për ndonjë emër të veçantë, se kush e meriton, them të drejtën nuk mund të flas për asnjë. Ka qenë një kampionat interesant dhe unë nuk kam parë asnjë futbollist që ka bërë diferencë të madhe sa për t'u përcaktuar për atë që ta fitojë 'Topin e Artë'", ka përfunduar Kastrit Rexha, i cili aktualisht është me pushime në Londër, atje ku shpresojmë se një ditë ta shohim në ndonjë skuadër angleze

(Kosova Sot)