Ademi: Amanetin e Vokrrit po e çojmë në vend

  • 15 December 2018 - 08:38
Ademi: Amanetin e Vokrrit po e çojmë në vend

Rezultatet e arritura, produkt i punës së presidentit legjendar 

"Vokrri gjithmonë e ka dashur një Kosovë me një futboll të bukur dhe me një kampionat të mirë e cilësor. Sot kemi një Kombëtare që është në rrugë të mirë për kualifikim në Evropian dhe një ligë e cila çdoherë e më shumë po rritet. Unë jam i bindur që Vokrri nga lart është i kënaqur me këtë që po ndodh", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" numri një i FFK-së, Agim Ademi

Stinori që sapo lamë pas në futbollin e Kosovës nuk do të harrohet kurrë. Ky 6 mujor, i cili u organizua pa presidentin legjendar Fadil Vokrri u mbyll pa eksese e mbi të gjitha me shumë rezultate të mira si në aspektin e ligës ashtu edhe në atë të Kombëtares. Për presidentin aktual të FFK-së, Agim Ademi, ata kanë qenë të detyruar që këtë stinor me të gjitha kapacitete që kanë, e me një mobilizim të jashtëzakonshëm të punojnë ta qojnë amanetit e Vokrrit në vend. "Ai gjithmonë e ka dashur një Kosovë me një futboll të bukur dhe me një kampionat të mirë e cilësorë. Kjo gjë veçse u arrit. Sot kemi një Kombëtare që është në rrugë të mirë për kualifikim në Evropian dhe një Ligë, e cila çdoherë e më shumë po rritet si për nga organizimi ashtu edhe për nga cilësia. Unë jam i bindur që Vokrri nga lart është i kënaqur me këtë që po ndodh", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", numri një i FFK-së, Agim Ademi.

Dhimbje dhe krenari

"Ky stinor në futbollin kosovar është përshkruan me një slogan "dhimbje dhe krenari". Dhimbje sepse Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e humbëm njeriun më të dashur më karizmatik, njeriun që ka qenë ikonë e gjithë shqiptarëve, presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri. Ndërsa krenari e quaj ekipin kombëtar, të cilët e ngritën Kosovën në maja dhe na bënë krenarë me rezultatet e tyre në Ligën e Kombeve", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Agim Ademi, sipas të cilit ishte me fat që ka qenë gjithmonë afër presidentin Fadil Vokrri dhe kjo e ka bërë më të lehtë që ta vazhdojë rrugëtimin që e la në gjysmë nga Vokrri. "Pas vdekjes së Vokrrit, kemi folur shumë me stafin në FFK, me klubet dhe gjithë aktorët tjerë dhe ju kemi treguar që na duhet një punë dyfish më e madhe për të mundur ta vazhdojmë rrugën e Vokrrit. Ne e dinim namin që ka pasur Fadil Vokrri për këtë është dashur që shumë më shumë të punojmë për ta vazhduar punën e tij. Kam gjetur mirëkuptim te të gjitha klubet. Fatmirësisht unë vij prej futbolli, fillimisht si futbollist, president klubi e pastaj pjesë e FFK-së, kështu që njihem me të gjithë dhe i di të gjitha hallet që mund t'i ketë një klub, një president dhe një donator, dhe në këtë drejtim kam qenë i përgatitur mirë. Gjithsesi, ky sukses që është arritur unë ja dedikoj gjithë ekipit të FFK-së, pasi unë vetëm e kam menaxhuar, por gjithë punën e ka bërë stafi në FFK", ka thënë Ademi për gazetën "Kosova Sot

Evropiani, Superliga, Stadiumi Nacional

Numri një i FFK-së, Agim Ademi, ka folur edhe për risitë që na presin në edicionin e ri. Ai për gazetën "Kosova Sot" ka zbuluar se në vitin 2019 e kërkon kualifikimin e Kosovës në Evropian, ngritjen e nivelit të Superligës, fillimin e punimeve në Stadiumin Nacional, si dhe ndihmën nëpër shkollat e futbollit që t'u mundësohet të rinjve kushte sa më të mira për punë. "Në vitin 2019, do të ketë një ngritje të nivelit organizativ si në ekipin kombëtar dhe në kampionatin vendor. Në janar të vitit të ri do të bëjmë strategjinë e futbollit të koordinuar me UEFA-n. Ne ishim këtë javë në UEFA te kryetari Aleksander Ceferin dhe u dakorduam që në të gjitha projektet që kemi do të na mbështet. Objektivi im është ngritja e ekipit nacional dhe unë e kërkoj tash kualifikimin në evropian pasi kemi dy mundësi, dhe e dyta është ngritja e Ligës së sonë. Unë iu kam thënë Komisioneve të UEFA-s, që Ligën tonë nuk po e trajtoni aty ku e ka vendin, pasi ne meritojmë të kemi më shumë ekipe në garat ndërkombëtare dhe po besoj se në vitin 2019, nuk do të jenë më dy ekip por tri. Shtylla tjetër është infrastruktura që ka filluar me Ministrin e Sportit dhe do të vazhdojë, do të jetë kampi nacional. Është edhe Stadium Nacional, i cili besoj se do të nisë punimet në muajin shkurt. Do të kemi një vëmendje të madhe edhe te shkollat e fëmijëve, do të ndihmohen klubet në ngritjen profesionale. Me një fjalë 2019 do të jetë më shumë punë, shumë risi", ka përfunduar Agim Ademi.

 

(Kosova Sot)