Neymar rrëfen vuajtjet e fëmijërisë

  • 15 December 2018 - 11:17
Neymar rrëfen vuajtjet e fëmijërisë

Neymar ëndërronte si fëmijë që të bëhej futbollist, për t’u bërë i pasur dhe më pas të blinte një fabrikë biskotash.

Ylli brazilian ka dhënë një intervistë interesante për Thiago Nigro, një personazh i çuditshëm i cili është bërë i pasur me anë të YouTube dhe u jep këshilla njerëzve si të pasurohen, në faqen “O Primo Rico” në Youtube, aty ku është publikuar edhe intervista me Neymar.

Neymar rrëfeu vitet e fëmijërisë, duke zbuluar në familjen e tij nuk e kishin luksin as të blinin biskota, ndaj ishte fiksuar që të blinte një fabrikë të tërë kur të rritej.

“Mamaja ime atë ditë u mundua të më ngushëllonte dhe ende sot ia plas të qarit, kur e kujton atë episod”, thotë Neymar, i cili jetonte në një shtëpi të vogël me 8 persona të tjerë, ku mundësitë financiare ishin shumë të kufizuara.

“Nuk kisha mundësi as të shkoja në kinema me shokët, por babai im më ka thënë gjithnjë që të qëndroj i qetë, sepse në të ardhmen do të shpërblehesha”.

Tani Neymar ka lënë pas gjithçka, merr 30 milionë euro në vit dhe është ndër sportistët më të pasur në planet, ndërsa babai i tij kujdeset për administrimin e të ardhurave.

“Gjithçka administrohet nga babai im, ai kujdeset në mënyrë perfekte dhe kjo gjë më jep qetësi, për të luajtur futboll pa e pasur mendjen gjetkë. Ka persona që kanë këshilltarë, por unë kam vetëm babin tim dhe kam besim të plotë tek ai”.

Administrimi i parave nuk është i lehtë për familjen Neymar: “Mbaj mend, para 15 vitesh pak a shumë, babai im fitoi rreth 50 mijë euro në lotari. Ishte alamet shifre, por për dy muaj u harxhuan të gjitha, duke blerë gjëra që nuk i kishim pasur kurrë në jetën tonë”.

Neymar shpjegon rrugëtimin drejt lavdisë: “Procesi për t’u bërë futbollist është shumë i vështirë dhe i ndërlikuar, duhen përballuar shumë probleme: kam pasur shumë miq të talentuar, më të mirë se unë, që nuk ia kanë dalë mbanë. Është çështje mentaliteti, unë e doja suksesin më shumë se kushdo tjetër, sepse shanset i kemi pasur të gjithë”. 

 

(Kosova Sot)