Ringjallet Interi, e mund Udinesen e Valon Behramit

  • 15 December 2018 - 20:34
Ringjallet Interi, e mund Udinesen e Valon Behramit

Interi është kthyer te fitorja në Serie A duke e mposhtur 1-0 Udinesen e udhëhequr nga kapiteni shqiptar Valon Behrami, të shtunën pasdite në Milano, pas humbjes nga lideri Juventusi një javë më parë dhe eliminimi zhgënjyes nga Liga e Kampionëve në mesjavë.

Para kësaj ndeshjeje, skuadra e Luciano Spallettit po vinte nga një barazim me Romën dhe humbja me Juventusin në dy javët e fundit në ligë, si dhe eliminimi tejet zhgënjyes nga Liga e Kampionëve pas varazimit me PSV0-në në mesjavë.

Megjithatë, zikaltrit reaguan fuqishëm duke e mposhtur Udinesen 1-0 në “San Siro”, falë golit fantastik të Mauro Icardit.

Interi ishte skuadër dominuese dhe krijoi shumë më shumë gjatë gjithë takimit, por iu desh një penallti për t’i marrë tri pikë të plota nga ky ballafaqim.

Një çerek lojë para fundit, gjyqtari akordoi penallti për vendasit, pasi njëri prej mbrojtësve të skuadrës vizitore preku topin me dorë në zonë.

Gjyqtarit Rosario Abissos iu desh verifikimi nga VAR për ta dhënë penalltinë.

Kapiteni Icardi shënoi me “Panenka”, golin që ishte i fitores për zikaltrit.

Interi ruan pozitën e tretë dhe tani ka 32 pikë, tri më pak se Napoli në vendin e dytë dhe 11 më pak se lideri Juventusi, megjithëse këta të dy kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në vendin e katërt ngel, rivali Milan, me 26 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur.

 

 

(Kosova Sot)