Real Madridi e mëson emrin e kundërshtarit për Kupën e Botës për Klube

  • 15 December 2018 - 21:51
Real Madridi e mëson emrin e kundërshtarit për Kupën e Botës për Klube

Real Madridi e ka mësuar emrin e kundërtarit të parë në Kupën e Botës për Klube. Do të jetë Kashima Antlers kundërshtar i Realit të Madridit në gjysmëfinale të kësaj gare, që po zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Klubi fitues i Ligës së Kampionëve aziatike përmbysi disavantazhin e një goli ndaj Chivasit të Guadalajaras, për të siguruar më pas kualifikimin për në fazën gjysmëfinale falë fitores me rezultatin 3-2.

Në Al Ain, në stadiumin “Hazza bin Zayed” përpara vetëm 4.000 spektatorëve, kampionët e Zonës Concacaf për vitin 2018 kaluan përpara që në 3′ me anë të lojtarit të krahut Angel Zaldivar, madje ekipi meksikan shpërdoroi edhe mundësi të tjera për të dyfishuar shifrat. Skuadra e Jose Cardozo-s shkoi në pushimin mes pjesëve me epërsinë e një goli, megjithatë Chivasi pësoi që në startin e pjesës së dytë, pas golit të realizuar nga Nagaki.

Pa u mbyllur mirë gjysma e pjesës së dytë ekipi aziatik përfitoi një 11-metërsh, që u shndërrua në gol në 69′ nga mesfushori brazilian Serginho, ndërsa gjashtë minuta para përfundimit sulmuesi i Kashimës, Hiroki Abe realizoi edhe golin e sigurisë. Në fund kryesori nga Etiopia Bamlak Weyesa akordoi një tjetër penallti, këtë herë me ndihmën e teknologjisë.

11-metërsh të cilin Alan Pulido fillimisht e humbi, sidoqoftë pas topit të kthyer nga portieri Kwon sulmuesi meksikan përfitoi edhe nga një devijim i mbrojtësve të Kashimës për të shënuar edhe golin e dytë të klubit nga Guadalajara, gol që vlen vetëm për statistika, sepse pas suksesit 3-2 mes katër skuadrave më të mira të këtij kompeticioni kalon ekipi japonez, që në gjysmëfinale pra do të përballet pikërisht me kampionët në fuqi të Realit të Madridit, në një duel që rikthen në kujtesën e të gjithëve edhe finalen e vitit 2016 të Kupës së Botës për Klube.

Biletën për në fazën gjysmëfinale siguroi gjithashtu edhe klubi vendas Al Ain që fitoi pastër 3-0 ndaj kampionëve të Afrikës Esperance të Tunizit. Pasi eliminuan fillimisht kundërshtarët zelandezë të Wellingtonit vendasit siguruan epërsinë e dy golave pas diçka më tepër se një çerek ore lojë. Kështu Mohamed Ahmad zhbllokoi ndeshjen që në 2′, ndërsa në 16′ dyfishoi shifrat El Shahat. Vulosi rezultatin 3-0 pas një ore lojë Bandar Mohammed dhe falë këtij suksesi ekipi i drejtuar nga kroati Zoran Mamic do të përballet në fazën tjetër me ekipin kampion të Zonës Conmebol River Plate.

 

(Kosova Sot)