Ende pa kontrata

  • 16 December 2018 - 09:04
Ende pa kontrata

Klubet duhet të jenë shumë më serioze
  Përkundër pranimit në institucionet ndërkombëtare, shumë lojtarë në Kosovë, ende luajnë pa kontrata. Ata mund të largohen pa u dhënë llogari. Kjo është mosseriozitet i klubeve. Në të kaluarën disa klube janë dënuar, për shkak se nuk i kanë paguar basketbollistët

P ranimi në arenën ndërkombëtare kishte sjell entuziazëm të madh në komunitetin sportiv. Lojtarët tashmë ishin të mbrojtur dhe e kishin një adresë se ku të ankoheshin nëse ndaj tyre do të bëheshin padrejtësi. Megjithatë, edhe sot ka lojtarë pa kontrata në basketbollin, sidomos disa të huaj. Ata vijnë për t'i dëshmuar aftësitë e tyre dhe të kalojnë në ndonjë ligë evropiane, duke e përdorur Kosovën, si një trampolinë për të kaluar në ligë tjetër evropiane. Por, nuk kanë munguar rastet kur palët nuk janë pajtuar dhe basketbollistët e huaj janë larguar pa lënë gjurmë, dhe madje pa adresë se ku të ankohen. Së fundi është dënuar Bashkimi, që nuk ka paguar lojtarët e huaj, në edicionin e kaluar, derisa Peja, e kishte pësuar më rëndë. Për shkak të borxheve ndaj FIBA-s dhe FBK-së, pejanët nuk u lejuan të regjistrohen fare për këtë edicion në basketbollin e Kosovës. Persona të paautorizuar bëjnë transferimet Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, thotë se kjo gjendje është shqetësuese dhe duhet gjetur një zgjidhje. Ai është i preokupuar që njerëzit jo-kompetentë merren me transferimin e lojtarëve. "Sa i përket lojtarëve dhe trajnerëve nga jashtë, ekziston një kaptinë e veçantë, që duhet analizuar dhe llogaritur mirë. E them këtë pikërisht, duke u bazuar në ndodhitë e kohëve të fundit, dhe më herët që kanë ndodhur në basketbollin tonë, gjegjësisht në Superligën e Kosovës në basketboll. Çka është më brengosëse, persona të paautorizuar dhe që nuk kanë njohur, i kryejnë këto transfere, duke i gënjyer lojtarët dhe trajnerët e huaj. Ata u premtojnë shumë gjëra dhe nuk i realizojnë. Në këtë mënyrë të huajt, largohen të dëshpëruar, dhe është një imazh i keq për basketbollin e Kosovës", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Sporti i basketbollit njihet për numrin e madh e lojtarëve të huaj që kanë luajtur në elitë. Klubet dikur kanë pasur deri në 5 basketbollistë të huaj, kurse gjatë një edicioni të plotë, numri i ndërrimeve ka shkuar në dyshifror. Në shumë raste, edhe klubet kanë mbetur të pakënaqura me paraqitjet e transferimeve që i kanë marrë. Moskorrektësia nga të dyja palët Ardhja e lojtarëve jo-cilësorë ka sjell shpesh herë telashe, dhe ka pasur mos-korrektësi nga të dyja palët, thotë Krasniqi. "Ka pasur shumë lojtarë dhe trajnerë të padëshmuar në Kosovë. Kështu lindin problemet. Moskorrektësia nga të dy dyja palët, ka bërë që të jemi në një situatë ku jemi tani. Është e thjeshtë të qëllosh se lojtarë pranojnë që në fillim të mos paguhen, mirëpo në sport ekziston 'Kartela e Besimit'. Kjo nënkupton reciprocitet nga të dyja palët. Lojtari duhet të shfaqë lojëra të mirë dhe klubi t'i bëjë ofertë serioze. E jo siç kanë ditur në të kaluarën, por edhe tani, që lojtarët të largohen pas disa ndeshjeve. Basketbollistëve nuk u ofrohet kontrata dhe kjo i largohen nga Kosova. Kjo e humb edhe seriozitetin mes dy palëve. Pra, duhet që të dyja palët të jenë më korrekte. Si klubet, ashtu edhe lojtarët. 

(Kosova Sot)