Xavi i përgjigjet Modricit për Topin e Artë

  • 16 December 2018 - 11:19
Xavi i përgjigjet Modricit për Topin e Artë

Legjenda e Barcelonës, Xavi Hernandez, e ka falënderuar mesfushorin e Real Madridit, Luka Modricin, i cili pasi e fitoi Topin e Artë ia dedikoi atë pjesërisht edhe spanjollit.

Dominimi dhjetëvjeçari i Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos mori fund këtë vit, kur më 3 dhjetor Modric e fitoi Topin e Artë dhe nënvizoi se edhe Xavi e disa futbollistë të tjerë e merituan atë në të kaluarën

“Mbase ka pasur lojtarë tjerë që kanë mundur ta fitojnë atë [Topin e Artë] në vitet e fundit dhe mendoj se Xavi, [Andres] Iniesta dhe [Wesley] Sneijder e kanë merituar, por nuk ndodhi për ta”, pati thënë Modric.

Xavi i është përgjigjur duke e falënderuar dhe vlerësuar gjestin e kroatit.

“Më erdhi mirë që e dëgjova atë [komentin e Modricit] dhe e vërteta është se e vlerësoj shumë. Jam i lumtur që çmimin e mori ai, edhe pse mendoja se Messi do ta fitonte”, tha Xavi.

“Unë do t’ia jepja Messit çdo vit natyrisht, por nuk mund të ndodhë kështu”, shtoi spanjolli. 

(Kosova Sot)