NBA: LeBron James shkëlqen për Lakers

  • 16 December 2018 - 12:43
NBA: LeBron James shkëlqen për Lakers

Los Angeles Lakers rikthehen te fitorja në NBA falë dyshes LeBron James-Lonzo Ball. Kalifornianët u ngjitën në vendin e katërt të renditjes në Konferencën e Perëndimit pas fitores 128-100 ndaj Charlotte, ndeshje e luajtur në fushën e kësaj të fundit.

Një takim i dominuar nga LA Lakers, që kishte si protagonist të zakonshim LeBron James, autor i një “triple double”, me 24 pikë, 12 rebound e 11 asiste, ndërsa për të vendosur emrin në histori mendoi Lonzo Ball që gjithashtu arriti shifrat e dyfishta me 16 pikë 10 rikuperime dhe 10 asiste.

Nuk ndodhte që nga koha e Magic Johnson dhe Kareem Abdul-Jabaar në vitin 1982 që dy basketbollistë të Lakers të arrin shifrat e dyfishta në çdo aspekt të lojës gjatë një ndeshjeje, ndërkohë që James dhe Ball u bënë dyshja e 8-të në historinë që regjistrojnë triple-double në një takim. Megjithatë arma kryesore në këtë sukses të ekipit kalifornian ishte kolektiviteti, me 7 lojtarë që realizuan mbi 10 pikë.

Jashtë fushe fiton edhe skuadra e Chicagos, që mundi 98-93 San Antonio Spurs, një rezultat disi surprizë, pasi Bulls ndodhen në vendin e fundit në Lindje, me shumë probleme këtë sezon. San Antonio e udhëhoqi gjatë gjithë kohës ndeshjen, madje u shkëput deri në 20 pikë, por miqtë rikuperuan në 5 minutat e fundit, duke arritur një fitore të pabesueshme.

Aldridge me 29 pikë e 12 rebound ishte më i miri për Spurs, por që s’mjaftuan për të evituar humbjen, ndërsa për Chicagon u dalluan Dunn me 24 pikë e Markkanen me 23.

Në ndeshjet e tjera, Oklahoma City Thunder mundi 110-104 Clippers, një përballje mes dy ekipesh pretendente në Perëndim. Një ndeshje në përgjithësi e dominuar nga skuadra e trajnerit Billy Donovan, me George që realizoi 33 pikë.

Fitore edhe për Detroit Pistons që në Michigan mposhti 113-104 Boston Celtics, një fitore e merituar e skuadrës vendase, që në pjesën e dytë e dominoi lojën dhe triumfoi falë 27 pikëve të Griffin. Fiton edhe skuadra e Houston Rockets, që mundi 105-97 rivalët e Memphis, ndeshje e komanduar nga miqtë, që patën gjithnjë kontrollin e saj e triumfuan falë 32 pikëve, 12 rebound e 10 asiste të yllit të ekipit James Harden

(Kosova Sot)