Sa janë profesionistë njerëzit që drejtojnë klubet?

  • 17 December 2018 - 08:50
Sa janë profesionistë njerëzit që drejtojnë klubet?

Durim, përkushtim, mbi të gjitha punë, për suksese  

Klubet në Kosovë shpesh janë akuzuar për dështim në garat vendore dhe ndërkombëtare, dhe mosmenaxhim të mirëfilltë. Por, në klube shumë drejtuesit nuk janë profesionistë, ose nuk e kanë përvojën e duhur sportive 

Klubet sportive në Kosovë janë ballafaquar me shumë vështirësi, si nga ana financiare, infrastrukturore apo edhe arritjen e rezultateve të dëshirueshme, si në garat vendore, po ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Por, sa janë njerëzit profesionistë që drejtojnë klubet në Kosovë dhe sa është e rëndësishme është kjo pjesë. Trajneri i volejbollit, Xhavit Kajtazi, thotë se sporti i Kosovës është ballafaquar me shumë vështirësi, derisa vendet tjera nuk e kanë pasur këtë problem.

"Një pyetje shumë e vështirë për t'u përgjigjur. Jo pse është vështirë për të cilësuar se cilët drejtues janë profesionistë e cilët jo, por sepse niveli i organizimit dhe i cilësisë së klubeve sportive dallon nga rajoni në rajon, nga shteti në shtet, madje edhe nga qyteti në qytet. Mirëpo, kur sheh se në ç'shkallë është organizimi i klubeve jashtë Kosovës, atëherë del përkufizimi se njerëzit që drejtojnë klubet në Kosovë për shumë arsye e shkaqe janë më prapa. Janë të qëndrueshme arsyet se në shtetin tonë të ri ka pasur luftë, ndërkohë që bie fjala në shtetet skandinave tash e 250 vjet nuk dinë çka është lufta. Dhe, derisa ne jemi rropatur me luftën për liri e pavarësi, rajoni dhe më gjerë këtë nuk ka pasur nevojë ta bëjë. Pas vitit 1999 sporti i Kosovës ka një histori tjetër. Zhvillimi dhe ecja përpara ka shkuar ngadalë për aq sa kanë lejuar kushtet edhe objektive, edhe subjektive. Përpjekjet e të gjithëve kanë qenë që të zëmë hapin e humbur e që ka qenë, është dhe do të jetë shumë vështirë ta bëjmë këtë veprim, duke qenë se sporti ka ecur shumë shpejt përpara, ndërsa ne kemi ngecur shumë prapa. Për fat të mirë tonin futbolli po e merr veten dhe ka shenja shumë të mira të zhvillimit profesionist, xhudoja po na bën krenarë gjithandej, basketbolli ka shenja përmirësimi, sikundër që edhe volejbolli dhe hendbolli, por kanë shumë nevojë për trajnerë të përmasave evropiane, që mbase do të mund t'i gjenim edhe në mesin tonë", është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot".

Trajner lind e bëhesh Një pjesë shumë e rëndësishme për rezultate është edhe trajneri, sipas Kajtazit, i cili për dekada të tëra ka qenë edhe gazetar i sportit vendor. "Një gjë, sipas mendimit tim, duhet ta kemi të qartë. Trajner lind, dhe nuk bëhesh dot! Çka po dua të them? Ne mund t'i pajisim me diploma sa të duam dhe kë të duam, por po qe se këto kuadro nuk kanë prirje dhe talent për të qenë drejtues (trajner), çfarë do t'u duhet diploma. Unë mendoj se kjo diplomë shërben vetëm si leje që trajnerëve ua mundëson (lejon) punën në klube, ndërsa talenti i tyri i kalon kufijtë e një letre, që merr vlerën dhe kuptimin e saj varësisht nga niveli i dijes së atyre që punojnë me sportistët. Pra, po niveli i kualifikimit, por mbi të gjitha po nivelit të dijes...", ka shtuar tutje Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot". Shumë e rëndësishme që njerëzit e duhur të punojnë në sport Por, sa është e rëndësishme që klubet të drejtohen nga njerëzit e duhur? "Është shumë e rëndësishme. Të shpenzosh kohë mjete dhe punë pa mbulesë është vetëm humbje kohe.

Prandaj klubet duhet t'i marrin në dorë ata që lëvizin rrotën përpara, e që gjithçka që lëviz në këtë drejtim quhet rezultat, quhet ngritje e nivelit të cilësisë. Lehtë është të drejtosh një klub apo një grup sportistësh kur gjithçka matet me rezultat. Fundja, pse, bie fjala, Driton Kuka cilësohet trajneri më i mirë në botë? Përgjigja është e qartë: sepse prapa tij janë titujt dhe medaljet e fituara, që nga Lojërat Olimpike Verore, e deri te Kampionatet Botërore e Evropiane e shtetërore. Ky është profili i një trajneri elitar, pra profesionist. Ka mundësi të kemi njerëz si Dritoni? Ka. Duhet durim, përkushtim, mbi të gjitha punë, punë dhe vetëm punë... Me njerëz si Dritoni mund të ecim përpara", ka përfunduar Xhavit Kajtazi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)