FFK-ja dhe Komuna e Prishtinës arrijnë marrëveshje për stadiumin “Fadil Vokrri”

  • 17 December 2018 - 14:59
FFK-ja dhe Komuna e Prishtinës arrijnë marrëveshje për stadiumin “Fadil Vokrri”

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Komuna e Prishtinës kanë arritur një marrëveshje për menaxhimin e stadiumit “Fadil Vokrri” në kryeqytet, veçanërisht për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian 2020 të ekipit kombëtar të Kosovës.

Po ashtu, ata kanë rëndë dakord edhe për ndërtimin e dy fushave dytësore, sintetike, në mënyrë që të ndihmohet zhvillimi i futbollit në kryeqytet

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, u takuan të hënën në zyrat Komunës së Prishtinës, ku arritën marrëveshjet.  

“Gjatë këtij takimi u diskutuan disa çështje të rëndësishme. Fillimisht u bisedua rreth menaxhimit të stadiumit “Fadil Vokrri” ku edhe u arrit marrëveshja që me këtë stadium veçmas gjatë ciklit kualifikues për Euro 2020 të menaxhojë FFK-ja në bashkëpunim me komunën. Ndërkohë, këtë marrëveshje e ka miratuar edhe ministri i sportit, Kujtim Gashi, i cili është takuar më pas me presidentin Ademi dhe kryetarin Ahmeti”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

"Si temë e dytë e diskutimit me kryetarin Ahmeti ka qenë ndërtimi i dy fushave me bari sintetik në kryeqytet, të cilat do ta ndihmonin shumë zhvillimin e futbollit, me ç’rast presidenti Ademi ka kërkuar që komuna urgjentisht ta gjejë tokën ku do të ndërtohen këto dy fusha dhe në momentin që ajo i kryen procedurat e dhënies së tokës në shfrytëzim, atëherë FFK-ja menjëherë do të jetë  e gatshme ta fillojë punën në realizimin e tyre. Po ashtu temë diskutimi ishte edhe dhënia e lejes për realizimin e projektit të ri të selisë së FFK-së, ku sipas të gjitha gjasave pas paraqitjes së projektit do të jepet drita e gjelbër dhe do të fillohet puna edhe në jetësimin e këtij projekti, që padyshim është tejet i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejmë të FFK-së”, thuhet më tej në njoftim.

(Kosova Sot)