Zidane, Pochettino dhe trajnerët e tjerë që mund ta zëvendësojnë Mourinhon

  • 18 December 2018 - 13:48
Zidane, Pochettino dhe trajnerët e tjerë që mund ta zëvendësojnë Mourinhon

Tani që Jose Mourinho është shkarkuar nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit, kanë filluar spekulimet për trajnerët e mundshëm që mund të vijnë në vend të tij. Klubi ka bërë të ditur se deri në fund të sezonit, do të emërohet një trajner i përkohshëm.

Mourinho është shkarkuar nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit në sezonin e tij të tretë me klubin anglez, pas disfatës kundër Liverpoolit me rezultat 3-1 në fundjavë. Në 144 ndeshje me “Djajtë e kuq”, Mourinho i ka arritur 84 fitore, 32 barazime , 28 humbje, me më një përqindje prej 58.3 fitoreje.

Drejtuesit i klubit i kanë shkarkuar nga puna edhe dy trajnerët paraprakë, David Moyes dhe Louis van Gaal. Tani, pas shkarkimit të Mourinhos, do të thotë se asnjë trajner i emëruar në këtë pozitë pas largimit të Sir Alex Fergusonit nuk do ta ketë përfunduar kontratën e tij me klubin.

Mauricio Pochettino

Tash e një kohë të gjatë është spekuluar se trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, mund ta marrë pozitën e trajnerit të Manchester Unitedit, madje edhe para emërimit të Louis van Gaalit në klub.

Megjithatë, argjentinasi nënshkroi kontratë pesëvjeçare në maj dhe nuk besohet se ai do të largohet nga Tottenhami në gjysmë të sezonit. Manchester Unitedi do të duhet të presë deri në fund të sezonit për ta marrë Pochettinon.

Zinedine Zidane

Bota e futbollit u trondit kur Zinedine Zidane u bëri publik lajmin për largimin e tij nga Real Madridi në fund të sezonit të kaluar. Francezi nuk e ka marrë drejtimin e asnjë klubi këtë sezon dhe tani është i papunë, por as Zidane nuk dëshiron ta fillojë punën e tij të re në gjysmë të sezonit.

Antonio Conte

Sukseset gjatë karrierës dhe fakti se nuk është duke e drejtuar asnjë klub për momentin bën që Antonio Conte të jetë një nga disa trajnerët favorit për t’u emëruar si trajner i Manchester Unitedit. Edhe vet Conte ishte shkarkuar nga Chelsea sezonin e kaluar, për shkak të rezultateve të dobëta.

Laurent Blanc

Ish-trajneri i Paris Saint-Germainit, Blanc, tash e dy vite nuk e ka drejtuar asnjë klub. Ai i kishte fituar 11 tituj gjatë tri viteve me PSG-në, mirëpo u shkarkua pas dështimit në Ligën e Kampionëve. Mirëpo, ai e njeh mjaft mirë Manchester Unitedin, pasi që kishte kaluar atje dy vite gjatë karrierës së tij si futbollist.

Leonardo Jardim

Jardim u shkarkua nga pozita e trajnerit të Monacos në tetor, pasi e filloi sezonin e ri në mënyrë të tmerrshme, si në Ligue 1, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Mirëpo, ai arriti ta fitojë titullin e Ligue 1 në sezonin 2016/2017, si dhe arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, duke luajtur futboll të bukur, të cilin po e kërkojnë shumë tifozë të “Djajve të kuq”.

Michael Carrick

Carricku ishte pjesë e stafit të trajnerëve të Mourinhos gjatë këtij sezoni, pasi i dha fund karrierës së tij mbresëlënëse me Manchester Unitedit vetëm një vit më parë. Ai ishte pjesë e gjeneratës së artë te ‘Djajtë e kuq”, bashkë me lojtarë si Paul Scholes, Ryan Giggs, Gary Neville e David Beckham.

Ryan Giggs

Mungesa e përvojës ishte argumenti që u përdor kundër kërkesës që Ryan Giggs të emërohet në pozitën e trajnerit të Manchester Unitedit, kur në vend të tij erdhi Jose Mourinho. Tani trajner i Kombëtares së Uellsit, ai i ka kaluar dy vite e gjysmë larg klubit ku kishte luajtur për të gjithë karrierën e tij si futbollist. 45-vjeçari mund të emërohet tani në këtë pozitë, pasi e kishte luajtur rolin e trajnerit të përkohshëm për katër ndeshje në vitin 2014.

Arsene Wenger

Edhe pse ka pak gjasa të ndodhë, Arsene Wengeri nuk ka marrë drejtimin e ndonjë klubi që nga largimi i tij nga Arsenali këtë verë, pas 22 viteve karrierë në Londër. 

 

(Kosova Sot)