Presidenti i La Ligës: Messi shumë më i mirë se Ronaldo

  • 18 December 2018 - 15:36
Presidenti i La Ligës: Messi shumë më i mirë se Ronaldo

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka thënë se Lionel Messi është shumë më i mirë se ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, dhe kushdo që thotë se Messi nuk është më i miri në botë, nuk e kupton futbollin.

Shefi i ligës elitare spanjolle e ka lartësuar yllin e Barcelonës para ish-sulmuesit të Real Madridit, Cristiano Ronaldos, për Diario SPORT të hënën mbrëma.

Tebas e përdori fitoren e Barçës 5-0 ndaj Levantes si shembull për të ta përshkruar Messin, i cili i shënoi tri gola dhe i përgatiti dy tjerat, të dielën në Valencia.

“Kushdo që e ka parë ndeshjen kundër Levantes, është tifoz futbolli dhe nuk i mendon ngjyrat e klubit të vet për një moment, duhet t’i hapë sytë dhe të thotë se Messi është lojtari më i mirë në botë  dhe dallimi është i madh”, tha Tebas.

Presidenti shtoi: “Nuk ka rëndësi cilin ekip e përkrah, nëse e kritikon Messin dhe thua që ai nuk është më i miri në botë momentalisht, atëherë ju nuk e kuptoni futbollin”.

I pyetur për dallimin mes Messit dhe Ronaldos, Tebas, që është tifoz i Madridit, tha qartë: “Në këtë epokë, ai është shumë përpara Ronaldos. Kështu ka qenë gjithmonë edhe në sezonet tjera. Ai po e udhëheq Barcelonën. Ai vazhdon të marrë përgjegjësi. Ai e ka arritur një nivel të jashtëzakonshëm”, shtoi ai. 

(Kosova Sot)