UEFA fillon hetimet ndaj Chelseat

  • 18 December 2018 - 16:57
UEFA fillon hetimet ndaj Chelseat

Trupi qeverisës i futbollit në Evropë, UEFA, i ka filluar hetimet ndaj Chelseat, pasi që dyshohet se tifozët e klubit anglez kishin qenë pjesë e një incidenti racist në Hungari gjatë një ndeshje të javës së kaluar.

Chelsea tanimë e ka dënuar këtë incident dhe është shprehur kundër tifozëve që kishin marrë pjesë në të. Tifozët e Chelseat akuzohen se kishin kënduar kore raciste gjatë ndeshjes të së enjtes të Evropa Ligës në Vidi.

Një grup i vogël i tifozëve të klubit londinez këndoi disa vargje diskriminuese për rivalët e tyre të Premierligës, Tottenham, i cili ka një grup të madh të tifozëve çifutë. Kjo gjë ndodhi gjatë ndeshjes në Budapest, raportojnë mediat britanike.

Kjo është hera e dytë që një akuzë e tillë ngrihet ndaj tifozëve të Chelseat. UEFA pret që rezultatet e hetimeve të publikohen në mes të janarit.

Edhe klubi anglez edhe Policia Angleze i kishte filluar hetimet për një incident tjetër të ngjashëm, kur Raheem Sterlingu tha se ishte abuzuar në baza racore nga tifozët në Stamford Bridge gjatë ndeshjes së para dy xhirove. 

 

(Kosova Sot)