"Topi i Artë", në duart e vendorëve APO "NDËRKOMBËTARËVE"?

  • 19 December 2018 - 08:48

Vitin e kaluar epiteti i më të mirit i ka takuar Valon Berishës

"Futbollisti më i mirë për vitin 2018, sipas mendimit tim, duhet të jetë futbollisti i Dritës, Endrit Krasniqi, i cili përveçse u shpall kampion me Dritën, u veçua me lojën dhe aftësitë e jashtëzakonshme individuale. Formë të mirë është duke kaluar edhe Meriton Korenica i Prishtinës dhe nëse vazhdon kështu, atëherë viti tjetër është i tij", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Genc Sermaxhaj

Këtë të enjte Federata e Futbollit e Kosovës do të bëjë përmbylljen e vitit 2018, duke bërë përzgjedhjen e më të dalluarve për këtë edicion. Pa dyshim sukseset e jashtëzakonshme të Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve sikur kanë lënë nën hije elitën e futbollit të Kosovës. Kjo edhe ka bërë që epiteti i futbollistit më të mirë të vitit edhe këtë herë t'i takojë një prej futbollistëve të Kombëtares së Kosovës, derisa gazeta "Kosova Sot" nga burime brenda institucionit të FFK-së, mëson se ky epitet do t'i takojë mesfushorit Arbër Zeneli, i cili ishte njëri nga më meritoret për suksesin e Kosovës.

Gjithsesi, FFK-ja edhe këtë vit do ta veçojë Superligën, duke ndarë çmim edhe për futbollistin më të mirë të elitës së futbollit. Tashmë votimet janë mbyllur, në të cilat kanë marrë pjesë trajnerët dhe gazetarët sportivë dhe mbetet të shihet se kush do të jetë më i miri i vitit 2018. Komisioni për përzgjedhjen e më të mirëve do të takohet sot ku edhe do t'i merr vendimet përfundimtare. Sa i përket futbollistëve të kampionatit vendor, analistët kosovarë favorizojnë lojtarët e Dritës, kjo pas suksesit që kishin në garat vendore, por edhe me pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Vitin e kaluar epiteti i më të mirit i ka takuar futbollistit të Kombëtares së Kosovës, Valon Berishës, ndërsa Behar Maliqi u shpall futbollisti më i mirë i Superligës së Kosovës. Sermaxhaj: Endrit Krasniqi më i favorizuari Ish-futbollisti i njohur kosovar, tash trajner te grupmoshta e Dritës, Genc Sermaxhaj, ka thënë se edicioni i kaluar ka sjellë në skenë disa futbollistë që duhet veçuar, por nëse është i detyruar të thotë një emër se kush e meriton çmimin e më të mirit në Kosovës, atëherë ai është mesfushori i Dritës, Endrit Krasniqi."Futbollisti më i mirë për vitin 2018, sipas mendimit tim duhet të jetë futbollisti i Dritës, Endrit Krasniqi, i cili përveçqë u shpall kampion me Dritën, ai u veçua me lojën e tij, me aftësitë e jashtëzakonshme individuale, i cili me lehtësi shmangej nga futbollistët kundërshtarë dhe ishte disa nivele më lartë ndaj të tjerëve me aftësitë teknike që posedon dhe vizionin që ka për lojën.

Gjithashtu kishte ndihmuar ekipin e tij në disa fitore të rëndësishme në fundin e kampionatit me disa gola vendimtarë. Pa dyshim se i vetëm nuk mund ta bënte pa pasur edhe ndihmën e bashkëlojtarëve që ishin të nivelit të lartë dhe së bashku arritën të shpallen kampionë. Formë të mirë është duke kaluar Meriton Korenica i Prishtinës dhe nëse vazhdon kështu atëherë viti tjetër është i tij", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Genc Sermaxhaj. Hashani: Do ta votoja Xhevdet Shabanin Edhe për trajnerin Erdin Hashani çmimi i futbollistit më të mirë në elitën e futbollit kosovar duhet të shkojë për lojtarët e Dritës, pas suksesit që patën në kampionatin vendor, duke fituar titullin dhe Superkupën, por edhe për paraqitjen e mirë në garat ndërkombëtare, Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës."Nëse e marrim vitin kalendarik dhe sukseset e skuadrës së Dritës, e cila pati bukur shumë rezultate, duke e fituar titullin e kampionit, Superkupën dhe paraqitjen në dy kompeticionet evropiane, Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, atëherë për futbollistin më të mirë të Superligës do ta veçoja, Xhevdet Shabanin e Dritës", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Erdin Hashani. Gjithsesi, konkurrenca sivjet do të jetë bukur e madhe sa i përket futbollistit vendor, pasi paraqitje të jashtëzakonshme kishte edhe sulmuesi i Feronikelit, Kastriot Rexha, dhe portieri i Prishtinës, Visar Bekaj, madje ky i fundit ishte edhe pjesë e Kosovës në Ligën e Kombeve.

(Kosova Sot)