Vjeshta me probleme

  • 19 December 2018 - 08:50
Vjeshta me probleme

Skuadrat që befasuan për të mirë dhe për të keq

Stinori vjeshtor përfundoi në Superligën e basketbollit, ku disa skuadra befasuan për të mirë dhe disa për të keq. Klubet edhe në vjeshtë u përballën me shumë probleme, si ato financiare, por edhe me infrastrukturë, pasi ndeshjet si vendas nuk i zhvilluan në palestrën e tyre 

E dicioni i kaluar u veçua me shumë probleme në basketbollin e Kosovës. Stinori vjeshtor u paralajmërua se do të jetë shumë më ndryshe, megjithatë, ashtu nuk ndodhi. Prishtina nuk kishte konkurrencë, derisa kampioni, Bashkimi, u ballafaqua me shumë probleme dhe mbeti në vendin e pestë. Skuadra tjetër e madhe, Trepça, kishte batica e zbatica, megjithatë, në fund arriti vendin e katërt, me një seri të suksesshme. Lipjani, që hyri nga Liga e Parë në Superligë, përfundoi në vendin e fundit. Renditja është e pritur Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi është shprehur se është pritur dominimi i Prishtinës, derisa foli edhe për krizën e disa skuadrave të tjera. "Sa u përket këtyre 14 xhirove të Superligës së Kosovës në basketboll, renditja është thuajse e pritur. Ashtu siç e kam parashikuar, Z Mobile Prishtina, ka dominuar në këtë pjesë të edicionit. Prishtina ka dominuar duke u bazuar në fondin e lojtarëve, trajnerit dhe investimeve që janë bërë.

Duke përjashtuar prishtinasit, skuadrat e tjera kanë treguar rivalitet dhe assesi cilësi. Nga Golden Eagle Ylli, që ka investuar më shumë pas Prishtinës, është pritur më shumë, duke u bazuar në përgatitjet dhe investimet që i ka bërë klubi. Menjëherë pas Prishtinës, kushtet më të mira i kanë pasur therandasit. Bashkimi ka pasur shumë luhatje, për shkak të problemeve të brendshme. Gjithashtu edhe Rahoveci ka pasur formë jostabile dhe pa palestër.

Është ballafaquar me probleme, ku ndeshjet si vendas është dashur t'i zhvillojë në Gjakovë, dhe nuk e ka pasur aspak lehtë", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Prishtina ka zhvilluar 13 ndeshje, duke arritur rekord me fitore, një ndeshje i ka mbetur për shkak të obligimeve në garat ndërkombëtare. Rahoveci ishte në vendin e dytë me 23 pikë, derisa Ylli, Trepça dhe Bashkimi grumbulluan nga 21 pikë, por therandasit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Problemet me palestër Edhe skuadra e Trepçës kishte shumë luhatje gjatë vjeshtës, derisa me probleme janë ballafaquar Borea dhe Lipjani. "Trepça ka pasur një fillim shumë të dobët të kampionatit, megjithatë, me kalimin e ndeshjeve e ka ngritur lojën dhe në fund ka arritur të përfundojë në vendin e katërt. Shumë skuadra kanë treguar një formë jostabile gjatë stinori vjeshtor. Ndërsa, Borea dhe Lipjani, me përjashtim të fitores befasuese të Lipjanit ndaj Trepçës, rezultatet e tjera janë të pritura, duke u bazuar në mosorganizimin e tyre brendapërbrenda klubit dhe mungesës së madhe të mjeteve financiare. Pos të tjerash, Lipjani është ballafaquar me një problem shumë të madh, pasi ndeshjet si vendas i ka zhvilluar si mysafir dhe ky ka qenë një problem shtesë për lipjanasit, duke e ditur se ka qenë debutuese në Superligë. Gjithashtu, edhe Borea në ndeshjet e fundit është ballafaquar me shumë probleme të mëdha financiare. Kjo sigurisht se ka ndikuar në rezultatet dhe paraqitjet e tyre", ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Nga Liga e Parë është inkuadruar edhe Ponte Prizreni, që në vjeshtë arriti pesë fitore dhe tetë humbje. 

(Kosova Sot)