Guardiola për shkarkimin e Mourinhos: Jose është shumë i fortë

  • 19 December 2018 - 09:40
Guardiola për shkarkimin e Mourinhos: Jose është shumë i fortë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola është i sigurt se ai dhe Jose Mourinho do takohen përsëri në të ardhmen e afërt, pasi rivali i tij i moçëm u shkarkua të hënën nga posti i trajnerit të Manchester Unitedit.

Guardiola dhe Mourinho krijuan një rivalitet të paparë gjatë kohës së tyre si trajner të Barcelonës dhe Real Madridit, përkatësisht.

Barça ishte më e mirë në betejat kokë me kokë në sezonin 2010-11, me fitoren 5-0 në El Clasico në “Camp Nou” që e theksoi marshin e katalonasve drejt lavdisë. Fitimi i dy trofeve më të rëndësishëm, La Ligës dhe Ligës së Kampionëve, u kompletua me fitoren në gjysmëfinale ndaj Madridit.

Ndërsa, prej ardhës së Guardiolës në City më 2016, Pep dhe Mou u takuan gjashtë herë në derbin e Mançesterit, me Cityn që i fitoi tre nga ta dhe Unitedin dy.

Guardiola foli për shkarkimin e Mourinhos duke thënë se është i trishtuar dhe se portugezi është shumë i fortë.

“Kur ndodh kjo, unë trishtohem gjithmonë për trajnerët. Ne, trajnerët, jemi vetëm – kur gjërat nuk shkojnë mirë, ne jemi vetëm”, tha Guardiola.

“Ai nuk ka nevojë për mua, sepse është shumë i fortë. Së shpejti, ai do të rikthehet dhe do të ndeshemi përsëri”, shtoi Pep. 

 

(Kosova Sot)