Reagon Pochettino pas lajmeve se do të bëhet trajner i Man Unitedit

  • 19 December 2018 - 13:21
Reagon Pochettino pas lajmeve se do të bëhet trajner i Man Unitedit

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, nuk e ka mohuar mundësinë për t’u bërë trajner i Manchester Unitedit në fund të këtij sezoni, pas shkarkimit të Jose Mourinhos, por ka thënë se është duke e shijuar kohën e tij në Tottenham.

Pochettino besohet se është një nga trajnerët favorit për drejtuesit e “Djajve të kuq” për ta marrë pozitën e trajnerit të Manchester Unitedit pasi të përfundojë ky sezon.

Argjentinasi e ka rinovuar kontratën e tij me Tottenhamit, duke nënshkruar kontratë pesëvjeçare në maj, dhe në konferencën për shtyp pasi u shkarkua Mourinho, ai bëri të ditur se është duke e shijuar punën e tij në Tottenham.

Në pozitën e trajnerit përkohësisht u emërua Ole Gunnar Solskjaer deri në fund të sezonit, por ai do të kthehet pastaj te klubi norvegjez, Molde, në maj të vitit 2019.

“Çfarë do të ndodhë gjatë verës? Çfarë do të ndodhë nesër? Askush nuk e di. Gjëja më e rëndësishme është ta shijosh rrugëtimin. Jam shumë i lumtur këtu. Çfarë do të ndodhë nuk është në dorën tonë”, ka thënë Pochettino.

“Nuk është puna ime se çfarë ndodh në klubet e tjera, si në shumë, shumë klube në botë. Unë jam shumë i lumtur këtu në Tottenham dhe i kam edhe katër vjet e gjysmë në kontratën time”.

“Ka shumë thashetheme, por, shikoni, unë jam i lumtur ta jap më të mirën time për klubin. Nuk është në duart e mia. Nuk mund t’i menaxhoj këto thashetheme. Unë nuk po i krijoj këto thashetheme, jam këtu”. 

 

(Kosova Sot)