Kërcënon presidenti i Interit: Do t’i shkatërrojmë të gjithë në fushë dhe jashtë saj

  • 19 December 2018 - 14:24
Kërcënon presidenti i Interit: Do t’i shkatërrojmë të gjithë në fushë dhe jashtë saj

Presidenti i Interit, Steven Zhang, ka dhënë një deklaratë befasuese gjatë darkës së klubit për Krishtlindje, duke insistuar se Interi do t’i shkatërrojë kundërshtarët e saj në fushë dhe jashtë saj.

Interi u rikthye në formë të lart në vitin 2018, duke i dhënë fund mungesës shtatëvjeçare në Ligën e Kampionëve, edhe pse nga ajo u eliminua në fazën grupore dhe garat do t’i vazhdojë në Evropa Ligë.

“Jemi përmirësuar shumë në çdo aspekt, krahasuar me pesë vite më parë, dhe duhet të vazhdojmë kështu, si ekip dhe si klub”, tha Zhang.

“Do t’i shkatërrojmë të gjithë në fushë dhe jashtë saj. Synimi do të jetë të flasim për trofe dhe të luajmë për fitore. Në vitin 2018 patëm disa momente të jashtëzakonshme, si rikthimi në Ligën e Kampionëve falë golit të Vecinos, të cilin e mbajmë mend të gjithë”, shtoi ai.

“Kemi garuar kundër disa prej ekipeve më të mëdha në botë dhe jemi përmirësuar edhe në treg. Mendoj se jemi të pamposhtur në disa ndeshje dhe shumë lojtarë dëshirojnë të na u bashkohen. Ata na frikësohen!”, theksoi ai. 

 

(Kosova Sot)