Real Madridi dorëzohet, nuk do të transferojë lojtarë të tjerë në janar

  • 18 January 2019 - 14:44
Real Madridi dorëzohet, nuk do të transferojë lojtarë të tjerë në janar

Brahim Diazi do të mbetet lojtari i vetëm i transferuar në Real Madrid gjatë këtij afati kalimtar të janarit pasi që klubi madrilen nuk planifikon ta transferojë ndonjë lojtarë tjetër deri në afatin kalimtar të verës.

Trajneri Santiago Solari do t’i besojë skuadrës së tij aktuale për të garuar në La Liga, Kupën e Mbretit dhe në Ligën e Kampionëve, përkundër paraqitjeve të dobëta që kanë pasur deri tani.

Numri i ulët i golave të shënuar në pjesën e parë të sezonit nga lojtarët e Real Madridit besohej se do t’i motivonte drejtuesit e Real Madridit për ta transferuar më në fund një zëvendësues të Cristiano Ronaldos, mirëpo trajneri argjentinas duhet ta gjejë një zgjidhje brenda skuadrës së tij për pjesën e mbetur të këtij sezoni.

Karim Benzema, Gareth Bale dhe Mariano Diaz janë të lënduar dhe eksperimenti i Solarit me Vinciusin, të cilit ia dha detyrën e qendërsulmuesit në ndeshjen kundër Leganesit, nuk rezultoi i suksesshëm, pasi që Real Madridi nuk e shënoi asnjë gol në atë ndeshje.

Tifozët janë të pakënaqur jo vetëm pasi që klubi i tyre i ka humbur plot dhjetë ndeshje këtë sezon, mirëpo edhe pasi që deri më tani skuadra e Solarit nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në plot tetë ndeshje.

Shkurti mund të jetë vendimtar për këtë sezon të Real Madridit, pasi që në këtë muaj do të zhvillohet ndeshja e fazës së 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve kundër Ajaxit, ndeshja kundër Atletico Madridit në Wanda Mteropolitano dhe gjysmëfinalja e Kupës së Mbretit (nëse skuadra e Solarit e kalon fazën çerekfinale). 

(Kosova Sot)