Gjykata pritet t’i caktojë dy vjet burg për Ronaldon, pesë për Alonson

  • 18 January 2019 - 15:17
Gjykata pritet t’i caktojë dy vjet burg për Ronaldon, pesë për Alonson

Gjykata Provinciale e Madridit do ta mbajë një seancë gjyqësore të martën, më 22 janar, dhe aty do të shqiptohet dënimi për ish-yjet e Real Madridit, Xabi Alonson dhe Cristiano Ronaldon, pas akuzave për evazion fiskal.

Ylli i Juventusit pritet të dënohet me dy vjet burg dhe të gjobitet me 18.8 milionë euro, ashtu siç ishte arritur marrëveshje me autoritet përgjegjëse për taksat në Spanjës, për katër krime gjatë viteve 2011-2014.

Ndërsa, sa i përket Alonsos, prokurorët kërkojnë dënim pesëvjeçar me burg për tri krime që thuhet se kanë ndodhur gjatë viteve 2010-2012. Alonso nuk ka pranuar të arrijë marrëveshje me autoritet përgjegjëse për ta ulur dënimin pasi që insiston se është i pafajshëm.

Që të dy lojtarët priten të marrin pjesë në këtë seancë gjyqësore. Ronaldo do të jetë pjesë e ndeshjes së Juventusit kundër Chievo vetëm një ditë më parë, të hënën, më 21 janar. Portugezi do të udhëtojë menjëherë pas ndeshjes për në Madrid për të marrë pjesë në këtë seancë.

Ndërsa, Alonso akuzohet se e kishte përdorur një kompani të rreme në Madeira të Portugalisë për të mos ia paguar qeverisë spanjolle taksat. Përmes kësaj mënyre raportohet se Alonso ka përfituar rreth dy milionë euro.

Sipas gazetës spanjolle, El Confidencial, Alonso mund të dënohet me pesë vite burg, ndërsa Prokurori i Shtetit ka kërkuar që dënimit të tij t’i shtohen edhe tri vite shtesë burgim.

Megjithatë, avokatët e Alonsos besojnë se ai është i pafajshëm dhe në këtë mënyrë ai as nuk do të paguajë para për ta mbyllur këtë proces, mirëpo as nuk do të dënohet me burg pasi që do të shpallet i pafajshëm. 

(Kosova Sot)