Guardiola e konfirmon interesimin e Man Cityt për tre mesfushorë

  • 18 January 2019 - 16:12
Guardiola e konfirmon interesimin e Man Cityt për tre mesfushorë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka zbuluar se klubi i tij është duke i mbikëqyrur tre ose katër mesfushorë për ta zëvendësuar Fernandinhon. Për më tepër, trajneri spanjoll ka zbuluar se skuadrës së tij mund t’i shtohet edhe një mbrojtës i krahut të majtë.

Në një konferencë për shtyp, Guardiola bëri të ditur se transferimi i një zëvendësuesi për mesfushorin brazilian është njëri ndër prioritet e klubit para se të fillojë sezoni i ardhshëm.

Manchester City ishte interesuar për Jorginhon gjatë verës së kaluar, para se ai të transferohej në Chelsea. Klubi anglez tani shpreson se do ta fitojë garën kundër Barcelonës dhe Real Madridit për transferimin e Frenkie De Jongut të Ajaxit, si dhe është duke i monitoruar Tanguy Ndombelen e Lyonit dhe Ruben Nevesin e Wolvesit.

“Është shumë e vështirë ta gjejmë një zëvendësues për Fernandinhon. Ai e njeh Premierligën, pas tre vjetëve këtu bashkë, ai di gjithçka dhe kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë Guardiola.

“Ne kemi nevojë për një lojtar që është i fuqishëm, që mund ta lexojë rrjedhën e sulmit tonë. Sa më shumë gjëra që të mundë t’i bëjë, aq më mirë. Nuk është e lehtë ta gjesh një lojtar që mund të bëjë gjithçka”.

“Ne i mbijetuam lëndimit të tij [mbrojtësit të krahut të majtë, Benjamin Mendyt] sezonin e kaluar, e madje edhe këtë sezon. Nuk mund të ju sigurojë se do ta transferojmë një lojtar në këtë pozitë pasi që jam i kënaqur me skuadrën time, mirëpo ky është një opsion për të cilin jemi duke menduar”.

UEFA e publikoi sot raportin financiar të klubeve për vitin e kaluar. Sipas këtij raporti, skuadra e Manchester Cityt ka kushtuar plot 800 milionë euro, duke u bërë kështu skuadra më e shtrenjtë në histori të futbollit. 

(Kosova Sot)