IJF: Majlinda Kelmendi e gatshme për 2019-n, drejt titullit të kampiones në Tokio

  • 22 January 2019 - 10:27
IJF: Majlinda Kelmendi e gatshme për 2019-n, drejt titullit të kampiones në Tokio

Federata Ndërkombëtare e Xhudos, IJF, e ka publikuar një artikull me pesë gjërat më të rëndësishme që nuk duhet t’i humbisni në Grand Prixin e parë këtë vit, në Tel Aviv të Izraelit, që do të zhvillohet nga e enjtja, 24 janar, deri të shtunën, 26 janar.

Sipas këtij artikulli të IJF, njëra ndër gjërat që nuk duhet t’i humbisni në këtë garë është ndeshja e parë e Majlinda Kelmendit për këtë vit, e cila synon ta fillojë rrugën drejt titullit të kampiones së botës, që do të tentojë ta marrë në Tokio 2020.

Kampionia olimpike në Rio 2016 dhe ish-kampionia e botës, Majlinda Kelmendi nga Kosova, u kthye në garën e turneut botëror të IJF në fund të vitit 2018, ku arriti ta fitojë një medalje të argjendtë në Abu Dhabi Grand Slam dhe një medalje të artë në Tashkent Grand Prix, shkruan IJF.

Kelmendi, 27-vjeçare, do të jetë shumë aktive gjatë vitit 2019 tani që është shëruar nga lëndimi i saj dhe është gjithmonë e më afër për ta mbrojtur titullin e kampiones në Tokio 2020.

Heroina e Kosovës pritet që të ngjitet shpejt nga pozita aktuale e saj në renditjen e xhudistëve, aktualisht gjendet në pozitën e 14-të. Përmes fitoreve që i kërkon këtë vit, ajo do të tentojë ta fitojë titullin e kampiones përsëri, për herë të parë që nga viti 2014.

Kosova është duke u treguar mjaft e kujdesshme dhe duke e kthyer Kelmend ngadalë në turneun botëror të IJF, pasi që kampionia olimpike ende nuk është regjistruar për asnjë garë tjetër.

Kelmendi pritet që të garojë në Paris, në garën që i ndihmoi asaj të bëhej e famshme pasi që e fitoi Grand Slamin francez katër herë. Megjithatë, kjo gjë mund të mos ndodhë pasi që ajo pritet të marrë pjesë edhe në gara të tjera, si në Grand Slamin gjerman në shkurt dhe në Rusi në mars.

Gara e ëndrrave për Kelmendin do të ishte një ndeshje kundër kampiones së botës, japonezes Abe Uta. Një ndeshje e tillë mund të zhvillohet në gjermani, pasi që japonezja nuk është e përfshirë në skuadrën e vendit të saj për garat në Gjermani. 

(Kosova Sot)