Ylli i ri i Kosovës lëndohet rëndë, i duhet të operohet përsëri!

  • 11 February 2019 - 17:53
Ylli i ri i Kosovës lëndohet rëndë, i duhet të operohet përsëri!

Labinot Kabashi e ka pësuar lëndimin e tretë të rëndë në karrierë. Talentit kosovar i duhet të operohet pas 10 ditësh, pas lëndimit në ligamentet e kryqëzuara të gjurit të djathtë

Nuk ka qetësi për Labinot Kabashin.

Futbollisti kosovar mendoi se e hoqi qafe një lëndim të rëndë që e kishte lënë jashtë fushës së blertë për afro një vit, por talenti kosovar assesi të shohë dritë.

Në fakt, ai ishte rikthyer së fundmi në ekipin e të rinjve të Barcelonës dhe lëndimi iu rikthye.

Posa hyri në lojë kundër ekipit Europe në minutat e fundit, ai praktikisht u lëndua pasi e mori topin e parë.

Nga ai moment u dyshua për një lëndim serioz.

Dhe, ekipi Juvenile A ka njoftuar se përfaqësuesit të ri kosovar tash i nevojitet një tjetër intervenim kirurgjik pasi u lëndua në të njëjtin vend ku ishte lënduar vitin e kaluar, respektivisht në ligamentet e kryqëzuara në gjurin e djathtë.

Sipas mediave spanjolle, respektivisht të përditshmes “Sport”, përcjell Gazeta Express, Kabashi pritet të futet përsëri në dhomën e operimeve pas 10 ditësh.

Ky është përfundimi i nxjerrë pas ekzaminimeve mjekësore që iu bënë të dielën.

Me këtë rast, Kabashi e humbi edhe një sezon.

Ai konsiderohet si njëri prej lojtarëve më shpresëdhënës të akademisë së Barcelonës, e cila e pret lojtarin sezonin e ardhshëm.

Ky ishte lëndimi i tretë i rëndë që e pëson 18 vjeçari, i cili në fund të shkurtit do t’i mbush 19 vjet.

Sidoqoftë, ai është i vendosur t’i kalojë këto probleme pasi ka fuqi mentale impresionuese dhe është shembull për të tjerët.

Jeta ka shumë pengesa, të cilat megjithatë ky futbollist i madh i së ardhmes sigurisht se do t’i kalojë. 

(Kosova Sot)