Një forcë më shumë për Kosovën

  • 14 February 2019 - 08:55
Një forcë më shumë për Kosovën

Në listën e gjerë mungon Alban Veseli  

Kosova më 24 shkurt do të përballet me Rumaninë, derisa përgatitjet i fillon të hënën. Përzgjedhësi Damir Mulaomeroviq ka rikthyer Drilon Hajrizin dhe Edmond Azemin, derisa vërehet mungesa e Alban Veselit. Takimi me Rumaninë është sfida e fundit e Kosovës në parakualifikimet për "Eurobasket 2021"

Ditë më parë, përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Damir Mulaomeroviq, e ka publikuar listën e gjerë, që më 24 shkurt do të përballet me Rumaninë në kuadër të Grupit B të parakualifikimeve për "Eurobasket 2021". Ekipi i Kosovës do të grumbullohet më 18 shkurt në Prishtinë për ndeshjen kundër Rumanisë, që i takon parakualifikimeve për "Eurobasket 2021".

Ndeshja Kosovë-Rumani do të zhvillohet më 24 shkurt nga ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Kosova bën gara në Grupin B dhe në tri duelet e para ka pësuar disfata, dy herë nga Maqedonia dhe një herë nga Rumania, ndërsa e ka edhe një shans në muajin gusht për ta siguruar një vend për në kualifikime për "Eurobasket 2021". Pra, Maqedonia i prin grupit me gjashtë pikë, ku nga tri ndeshje ka po aq fitore, kurse Rumania dhe Kosova i kanë nga tri pikë secila, përderisa rumunët i kanë luajtur dy ndeshje deri më tani, dhe dy të tjerat do ti luajnë në muajin shkurt, së pari kundër Maqedonisë dhe më pas kundër Kosovës.

Fituesi i grupit do ta sigurojë një vend direkt për në kualifikime për "Eurobasket 2021". Raundi shtesë i parakualifikimeve për "Eurobasket 2021" do të zhvillohet prej 3 deri më 21 gusht, ndërsa emrat e kundërshtarëve Kosova do t'i mësojë në shkurt pas ndeshjes kundër Rumanisë.

Mungon Alban Veseli

Në listën e gjerë të Kosovës, bie në sy edhe rikthimi i Drilon Hajrizit pas një kohe të gjatë. Hajrizi ishte i suspenduar nga FBK-ja, kurse është rikthyer edhe Edmond Azemi, i cili më herët ishte pensionuar nga ekipi kombëtar i Kosovës. Erjon Kastrati rikthehet nga lëndimi, derisa vërehet edhe mungesa e Alban Veselit, i cili po luan te Golden Eagle Ylli. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, ka komentuar për listën e Kosovës se kush e meriton të ftohet dhe kush jo.

"Po në ndeshjen kualifikuese të fundit që e patëm me Maqedoninë e humbëm dhe trajneri Mulaomeroviq kishte kritika se nuk e ka bërë përzgjedhjen më të mirë, por unë pata cilësuar se ajo ka qenë zgjedhja më e mirë e mundshme për momentin. Ndërsa sa i përket tani përzgjedhjes së lojtarëve për ndeshjen e radhës me Rumaninë, mendoj se është bërë një përzgjedhje gjithëpërfshirëse, por mendoj se kësaj liste i mungon Alban Veseli. Dihen cilësitë e Albanit dhe rikthimi i tij te Ylli, ka ngritur edhe rivaliteti në Superligë. Albani ka një përvojë të gjatë, që në këso ndeshje janë më se të nevojshme", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". 

Rritet konkurrenca

Gjithsesi, rikthimi i Hajrizit dhe Azemit, do të rrit edhe konkurrencën brenda grupit. "Ne duhet të respektojmë vendimin e përzgjedhësit dhe mbetet për t'u shikuar se a ka qenë vendim i përzgjedhësit sa i përket listës. Sa i për rikthimit të Drilon Hajrizit dhe Edmond Azemit në grumbullim, është bërë një punë e mirë dhe kjo e rrit edhe konkurrencën brenda grupit. Ardhja e tyre do të ndihmoj edhe Kosovën në përballje me Rumaninë", ka theksuar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

Lider i Kosovës edhe në këtë ballafaqim shihet Dardan Berisha, që po kalon formë të mirë edhe te Z Mobile Prishtina, derisa në qendër do t'u ndihmojë shumë edhe Lis Shoshi. Malcolm Armstead është basketbollisti i huaj që do të luajë te Kosova, pasi në sfidën e kaluar nuk ishte për shkak të lëndimit. Lista më pas do të shkurtohet në 12 lojtarë për të pasur një paraqitje sa më të mirë përballë rumunëve.  

(Kosova Sot)