Migjen Basha i kërkon falje futbollistit serb: Ishte incident i keq, ky nuk jam unë

  • 18 February 2019 - 13:40
Migjen Basha i kërkon falje futbollistit serb: Ishte incident i keq, ky nuk jam unë

Migjen Basha i ka kërkuar falje futbollistit serb Novica Maksimovicit, për ndërhyrjen e ashpër ndaj tij në barazimin e Arisit kundër Panioniosit të dielën, duke thënë se ishte incident i keq dhe i paqëllimtë nga ana e tij.

Basha e la skuadrën e tij greke në baltë pas vetëm dhjetë minutave lojë duke u përjashtuar direkt me karton të kuq, pasi e goditi me taken lart drejt e në këmbë kundërshtarin e tij serb.

Tani, mesfushori i ekipit kombëtar shqiptar, Basha duket se është penduar dhe i ka uruar rikthim sa më të shpejtë në fushë Maksimovicit.

“Dua t’ju kërkoj falje të gjithëve për ndërhyrjen time mizore këtë pasdite kundër Panioniosit. Dua t’i kërkoj falje kundërshtarit tim dhe shpresoj se do ta shoh sa më shpejt në fushë... ishte incident i keq dhe ky nuk jam unë”, shkroi Basha në një postim në Instagram.  

Përkundër se luajti me një lojtar më pak pothuajse gjatë gjithë takimit, Arisi ia doli ta shmangë humbjen duke barazuar 1:1.

(Kosova Sot)