Mourinho e harron rivalitetin me Wengerin: Arsene, njëri ndër trajnerët më të mirë në histori

  • 19 February 2019 - 12:39
Mourinho e harron rivalitetin me Wengerin: Arsene, njëri ndër trajnerët më të mirë në histori

Jose Mourinho i ka dhënë fund zënkës me ish-rivalin e tij, Arsene Wengerin, gjatë ceremonisë së mbrëmshme të çmimeve në botën e sportit, Laureus.

Kjo dyshe ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave në të kaluarën, për shkak të zënkave gjatë kohës sa të dy ishin trajnerë në Premierligë. Madje, Mourinho e kishte quajtur francezin specialist të dështimeve.

Gjithashtu, edhe Wengeri i kishte nxitur shpeshherë këto zënka, veçanërisht gjatë herës së dytë që Mourinho kishte qenë trajner i Chelseat, para se të emërohej në pozitën e trajnerit të Manchester Unitedit.

Tani, të dy këta tani janë duke e shijuar pushimin nga karriera si trajnerë, pasi që kanë mbetur pa punë. Wengeri i kishte dhënë fund periudhës së tij 22-vjeçare me Arsenalin, në fund të sezonit të kaluar, ndërsa Mourinho u shkarkua nga Manchester Unitedi më 18 dhjetor.

“Kishte disa ngjarje përgjatë rrugës. Unë mund të flas vetëm për vete. Unë e shijoJa garën, por respekti i vërtetë ishte gjithmonë i pranishëm. Ai ka shkruar shumë histori me atë klub, është njëri ndër trajnerët më të mirë në histori të futbollit”, ka thënë Mourinho.

Në sezonin e fundit të Wenger me klubin anglez, Arsenali kishte përfunduar në pozitën e gjashtë, që ishte rezultati më i keq i londinezëve në Premierligë që nga viti 1995, kur kishte përfunduar në pozitën e 12-të.

Megjithatë, francezi u nderua me një çmim mbrëmë, falë përkushtimit dhe sukseseve të tij gjatë periudhës 22-vjeçare me Arsenalin, ku ai i kishte fituar tre tituj të Premierligës dhe shtatë tituj të FA Cup. 

(Kosova Sot)