Marcelo, i gatshëm të largohet nga Real Madridi

  • 19 February 2019 - 13:10
Marcelo, i gatshëm të largohet nga Real Madridi

Mbrojtësi i krahut të majtë, Marcelo, u takua me drejtorin menaxherial të Real Madridit, Jose Angel Sanchez, të hënën për ta diskutuar të ardhmen e tij.

Marcelo ka mbetur i pakënaqur me situatën e tij në Real Madrid dhe është i gatshëm ta kërkojë largimin nga Santiago Bernabeu, gjatë afatit kalimtar të verës së këtij viti, nëse situata në klub nuk ndryshon, raporton COPE.

Zhgënjimin për situatën e tij në klub, Marcelo ia bëri të ditur Sanchezit dje, gjatë takimit, dhe pas 13 sezoneve me klubin madrilen, ai ka bërë të ditur se mund të largohet gjatë verës, përkundër që kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2022.

Cristiano Ronaldo vazhdojë ta nxitë dëshirën e brazilianit për t’u larguar nga Real Madridit, duke tentuar ta bindë për t’iu bashkuar atij në Juventus. Këtë propozim, portugezi ia kishte bërë brazilianit edhe verën e kaluar.

Të dielën, Marcelo iu përgjigj kritikëve të tij në Instagram, me ironi, duke shkruar: “I gjithë faji është i imi! Vazhdojmë...”, pasi që tifozët kishin qenë duke i krahasuar statistikat e brazilianit (nëntë ndeshje, gjashtë fitore, dy barazime, një disfatë) këtë sezon me ato më Reguilonit (tetë ndeshje, tetë fitore).

Sezoni i 30-vjeçarit është përkeqësuar për shkak të lëndimeve. Këtë sezon, ai i ka pësuar tri lëndime muskulore, të cilat e kanë mbajtur jashtë fushës së blertë për plot dhjetë ndeshje.

Marcelo i ka 477 paraqitje zyrtare për Real Madridit, gjatë të cilave i ka shënuar 36 gola. Ai është lojtari i tretë me më së shumti tituj në histori të klubit, me 20 tituj, përfshirë këtu katër të Ligës së Kampionëve. Ai ka baras tituj me Sergio Ramosin, ndërsa vetëm Gento dhe Sanchis Jr kanë më shumë. 

(Kosova Sot)