Zbulohen detajet e ofertës së re të Interit për Icardin

  • 19 February 2019 - 13:24
Zbulohen detajet e ofertës së re të Interit për Icardin

Drejtori ekzekutiv i Interit, Beppe Marotta, i kishte garantuar bashkëshortes dhe agjentes së Mauro Icardit, Wanda Naras, se di do t’ia sjellje një propozim tjetër për një kontratë të re. Ky propozim është analizuar nga të gjithë drejtuesit e zikaltërve gjatë ditëve të fundit.

Përkundër tensionit të lartë mes Icardit dhe Interit për shkak të vendimit për t’ia hequr argjentinasit shiritin e kapitenit, Interi planifikon t’ia ofrojë kontratën e re, pesëvjeçare Icardit.

Këtë ofertë, drejtuesit e Interit pritet t’ia bëjnë Icardit deri në fund të këtij muaji, pavarësisht asaj që mund të ndodhë gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, pasi që dëshirojnë ta qetësojnë gjendjen në klub.

Vendimi i Interit është t’i ofrojë Icardit kontratë deri në vitin 2024 me pagë afër 7 milionë euro, si dhe shtesat. Me këto shtesa, paga e tij do të arrijë deri te shuma prej tetë milionë eurove, që është kërkuar nga Nara.

Ideja e klubit është që të diskutohet edhe për ndryshimin e klauzolës për shkëputjen e kontratës, e cila për momentin është 110 milionë euro dhe vlen nga 11 deri më 15 korrik, për klubet nga jashtë Italia.

I vetmi dyshim për këtë kontratë të re mbetet pikërisht te klauzola për shkëputjen e kontratës. Ndërsa, sa i përket të tjerave, Interi do t’ia ofrojë argjentinasit shumën e lartpërmendur dhe ky do të do jetë propozimi i fundit.

Pastaj, gjithçka do të mbetet në dorën e Icardit, i cili duhet të vendosë nëse dëshiron ta rinovojë kontratën me zikaltrit apo jo. Mirëpo, as nënshkrimi i tij nuk do t’i largojë mëdyshjet për të ardhmen pasi që gjithçka varet nga klauzola e shkëputjes së kontratës. 

(Kosova Sot)