Lyoni e ndal Barcelonën e Messit

  • 19 February 2019 - 23:29
Lyoni e ndal Barcelonën e Messit

Lyoni e ka ndalur Barcelonën me një barazim pa gola në ndeshjen e 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve të martën në Parc Olympique Lyonnais.

Gjiganti francez ia doli t’i bëjë ballë sulmeve të Lionel Messit me shokë, duke nxjerr një rezultat sadopak pozitiv para ndeshjes së kthimit në Camp Nou pas tri javësh.

Barça e domino skuadrën vendase në çdo repart, duke e kontrolluar ndeshjen dhe krijuar shumë raste.

Megjithatë, lojtarët e skuadrës së Ernesto Valverdes shpërdoruan shumë mundësi duke u treguar të paaftë para portës.

Nga 25 tentime në drejtim të portës së Lyonit, Barca i pati vetëm 5 sosh brenda kornizës së portës.

Në fakt, pas dhjetë minutave lojë, Lyoni ka mundur të kalojë në epërsi shumë lehtë, por goditjen e Martin Terrier e ndali Marc-Andre ter Stegen me ndihmën e transversales.

Terrier pati edhe një mundësi tjetër të artë, por nuk qe në gjendje ta fusë topin në rrjetë nga afërsia duke goditur jashtë portës.

Lionel Messi pati dy mundësi shumë të mira nga goditja e dënimit, prej një distance të afërt, por përpjekjet e tij përfunduar lart mbi portë.

Raste të mira lëshuan edhe Jordi Alba dhe veçanërisht Luis Suarez.

Barcelona do të jetë nikoqire e Lyonit pas tri javësh në Camp Nou, për ndeshjen e kthimit ku do të përcaktohet çerekfinalisti.

 

 

(Kosova Sot)