Klopp: Solskjaer e ka kthyer stilin e Fergusonit në Man United

  • 22 February 2019 - 12:53
Klopp: Solskjaer e ka kthyer stilin e Fergusonit në Man United

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka lavdëruar trajnerin e Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, duke thënë se ai e ka kthyer filozofinë e Sir Alex Fergusonit në klub dhe do ta ketë pozitën e trajnerit të “Djajve të kuq” edhe sezonin tjetër.

Manchester Unitedi është i pamposhtur në Premierligë që kur në pozitën e trajnerit u emërua Solskjaer, si zëvendësues i përkohshëm i Mourinhos. Që nga atëherë, “Djajtë e kuq” i kanë fituar tetë ndeshje dhe e kanë barazuar një tjetër.

Kjo ecuri ka bërë që Manchester Unitedi të ngrihet në pozitën e katërt në tabelën e Premierligës, që ia siguron kualifikimin për sezonin e ardhshëm të Premierligës. Fitorja në ndeshjen e së dielës kundër Liverpoolit, në Old Trafford, mund t’ia humbë titullin e Premierligës skuadrës së Jurgen Kloppit.

Në anën tjetër, Liverpooli janë duke kaluar në një periudhë më pak mbresëlënëse, pasi që i kanë fituar vetëm tri nga tetë ndeshjet e fundit, të zhvilluara në të gjitha garat, për shkak të krizës në lëndimeve në fazën e mbrojtjes.

“Ai i ka sjellë në klub gjërat për të cilat njihej Sir Alex Fergusoni. Kjo e bën Manchester Unitedin kërcënues përsëri dhe ata janë kthyer në garë. Është e qartë që ai do të jetë trajner edhe vitin tjetër”, ka thënë Klopp.

Fjalimi i Fergusonit, në vitin 1986, kur ai e kishte marrë pozitën e trajnerit në Old Trafford, është shumë i famshëm, pasi që kishte thënë se qëllimi i tij është që ta zbresë Liverpooli nga froni dhe t’i japë fund dominimit të Liverpoolit në futbollin anglez.

Dhe Solskjaer, i cili i kaloi 11 sezone duke luajtur për Fergusonin, e ka ftuar skocezin 77-vjeçar për ta ndarë një pjesë të njohurisë së tij me skuadrën e Manchester Unitedit, para ndeshjes kundër Liverpoolit.

(Kosova Sot)