Majlinda Kelmendi siguron medalje, kualifikohet në finale

  • 22 February 2019 - 15:27
Majlinda Kelmendi siguron medalje, kualifikohet në finale

Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, e ka siguruar një medalje dhe një vend në finale të Grand Slamit të Dusseldorfit, në Gjermani.

Në gjysmëfinale, Kelmendi e mposhti xhudisten italiane Odette Giuffrida, me ippon, në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë. Me këtë fitore, kosovarja e ka siguruar medaljen e argjendtë, por do të tentojë ta fitojë medaljen e artë.

Majlinda e kishte mposhtur italianen edhe në finanlen e madhe të Loëjrave Olimpike RIO 2016.

Image

 

Në çerekfinale, Majlinda e mposhti xhudisten koreane, Bokyeong Jeong, me ippon. Fillimisht, kosovarja kishte qenë duke humbur me rezultat teknik, mirëpo, afër fundit të ndeshjes, ajo u tregua shumë e fortë për kundërshtaren e saj, e cila tentonte ta sigurojë një vend në gjysmëfinale duke humbur kohë.

Në rrethin e tretë, xhudistja pejane e mposhti xhudisten braziliane, Eleudis Valentim, ndërsa në rrethin e dytë, triumfoi kundër xhudistes gjermane, Verna Thumm.

Të dyja këto ndeshje, në rrethin e dytë dhe të tretë, Kelmendi i kaloi duke i mposhtur kundërshtaret me ippon, ndërsa rrethin e parë e kaloi pa luftë.

Image

 

Në finale, Majlinda do të përballet me xhudisten nga Mongolia, Sosorbaram Lkhagvasuren. Ndeshja pritet të zhvillohet pas orës 17:00.

Kjo është gara e dytë e xhudos në të cilën Kelmendi po merr pjesë këtë vit, pasi që pushoi në Grand Slamin e Parisit. Në garën e parë, në Grand Prixin e Tel Avivit, ajo e kishte fituar medaljen e artë.

Majlinda është garuesja e vetme që po e përfaqëson Kosovën, pasi xhudistët tjerë, Akil e Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, pushuan.

Këtë formë të mirë, xhudistja pejane do të tentojë ta shfaqë edhe në ndeshjet e radhës, në Grand Slamin e Gjermanisë, ku marrin pjesë 683 garues nga 97 shtete. Grand Slami është i vlefshëm për pikë Olimpike Tokio 2020.

(Kosova Sot)