Festimi i çuditshëm i futbollistit e frikëson djaloshin në stadium

  • 22 February 2019 - 15:46
Festimi i çuditshëm i futbollistit e frikëson djaloshin në stadium

Sa i përket festimeve më të veçanta për golat e shënuara në futboll, “Ecja e panterës” së Bafetimbi Gomisit është njëra nga më të mirat, edhe pse një një djalosh i vogël nga Arabia Saudite do të thoshte ndryshe.

Gomis, i cili për momentin luan për liderin e Pro Ligës së Arabisë, Al Hilalin, shënoi në fitoren me rezultat 2:0, kundër Al-Ittihadit të enjten dhe, si zakonisht, ai u ul në gjunjët e tij për ta imituar panterën.

Ish-sulmuesi i Swanseas pastaj vendosi se ishte ide e mirë të ecte drejt djaloshit, i cili po qëndronte i gatshëm për t’ia dhënë topat e futbollit lojtarëve në fushë. Megjithatë, ky festim nuk i pëlqeu aspak atij.

Disa momente pasi Gomisi e bëri këtë festim, djaloshi filloi të vraponte që të ikte sa më larg futbollistit. Kamerat e kapën këtë moment dhe tani videoja po shpërndahet gjithandej.

Pas përfundimit të ndeshjes, 33-vjeçari e gjeti djaloshin dhe ia dha atij fanellën që e kishte veshur gjatë ndeshjes, të nënshkruar, për t’i kërkuar falje. 

 

(Kosova Sot)