Kosova beson!

  • 22 February 2019 - 16:05
Kosova beson!

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) të premten në zyrat e saj e ka organizuar konferencën e fundit para ndeshjes së Përfaqësueses së Kosovës kundër Rumanisë, që do të luhet të dielën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në...

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) të premten në zyrat e saj e ka organizuar konferencën e fundit para ndeshjes së Përfaqësueses së Kosovës kundër Rumanisë, që do të luhet të dielën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë me fillim nga ora 20:30.

Kjo ndeshje i takon Grupit B të parakualifikimeve për Eurobasket 2021.

Të pranishëm në konferencë ishin Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, përzgjedhësi i Kosovës, Damir Mulaomerovic dhe kapiteni i Përfaqësueses, Dardan Berisha.

Kosova bën gara në Grupin B dhe në tri duelet e para ka pësuar disfata, dy herë nga Maqedonia dhe një herë nga Rumania, ndërsa e ka edhe një shans në muajin gusht për ta siguruar një vend për në kualifikime për Eurobasket 2021.

Pra, Maqedonia i prin grupit me 6 pikë, ku nga tri ndeshje ka po aq fitore, kurse Rumania dhe Kosova i kanë nga tri pikë secila, përderisa rumunët i kanë luajtur dy ndeshje deri më tani, dhe dy të tjerat do ti luajnë në muajin shkurt, së pari kundër Maqedonisë dhe më pas kundër Kosovës. Fituesi i grupit do ta siguroj një vend direkt për në kualifikime për Eurobasket 2021.

Raundi shtesë i parakualifikimeve për Eurobasket 2021 do të zhvillohet prej 3 deri më 21 gusht, ndërsa emrat e kundërshtarëve Kosova do t’i mësojë në shkurt pas ndeshjes kundër Rumanisë.

Damir Mulaomeroviç, përzgjedhës i Kosovës:

“Së pari falënderoj të gjitha mediat për interesimin kaq të madh për të përcjell punën e Përfaqësueses së Kosovës para përballjes me Rumaninë. Unë jam shumë i lumtur me atmosferën e shkëlqyeshmë që është duke mbretëruar në Përfaqësuese. Djemtë kanë punuar me përkushtim të madh gjatë këtyre pesë ditëve dhe mund të them se për kaq ditë kemi arritur të bëjmë shumë gjëra së bashku. I kemi edhe tri ditë për t'u përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme. E them ndeshje e rëndësishme, sepse për ne është e tillë. Ne duam ta fitojmë këtë ndeshje. Rumania ka një ekip shumë të mirë, ata të enjten mbrëma e kanë mposhtur Maqedoninë, dhe kjo do të thotë se ata me të vërtetë kanë një skuadër të mirë. Kemi pak probleme të vogla me lëndime, por ato nuk duan justifikime, kështu që nuk jemi të fokusuar në këtë pjesë, por jemi të fokusuar në atë që të hyjmë në fushë dhe ta fitojmë ndeshjen me këta lojtarë që i kemi në dispozicion e që mendoj se e kemi një ekip mjaft të fortë. Të dielën basketbollistët tanë do të dëshmojnë se janë luftëtarë të vërtetë dhe shfrytëzoj rastin t’i ftoj tifozët të vijnë në numër sa më të madh të dielën në palestër, sepse me të vërtetë kemi nevojë për pëkrahjen e tyre, por edhe mendoj se këta djem e meritojnë përkrahjen e të gjithëve. Po ashtu shpresoj se të dielën do të jetë një ndeshje me basketboll cilësor, sepse si ekip kemi pasur disa zhvillime dhe e kemi vendosur një standard në ekip, dhe kjo është për tu lavdëruar për një Përfaqësuese të re si Kosova”.

Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësueses së Kosovës:

“Për ne lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës çdo stërvitje është me rëndësi, ndërsa ndeshja është e një rëndësie të veçantë, andaj besoj se 100% do të jemi të gatshëm për të dielën. Jemi duke stërvitur mjaft mirë, atmosfera është shumë e mirë, gjithçka po shkon sipas planit të paraparë. Lojtarët që për herë të parë janë pjesë e Përfaqësueses na kanë dhënë një energji të re dhe një motivim. E dimë mjaft mirë për çka jemi duke luajtur, do të luajmë para shikuesve tanë si vendas, kemi më dhënë gjithçka nga vetja për ta fituar këtë ndeshje, gjë e cila nuk ka me qenë lehtë. Rumania të enjten në përballje me Maqedoninë ka dëshmuar një lojë shumë të mirë, pak është dashur që të fitojnë me mbi 14 pikë dhe kështu do t’iu kishin hapur rrugët për të luftuar në duel me ne për kualifikim tutje. Rumania ka eksperiencë, por ne si ekip çdo ditë po e ngritim nivelin e lojës tonë, po vijnë lojtarë të rinj të motivuar, andaj të dielën do të jemi të gatshëm 100% për fitore. Kisha dashur që të bëjë thirrje tek të gjithë ata që e duan sportin të vijnë të dielën në palestër për të na përkrahur, si dhe ‘Dardanët’ në numër sa më të madh, përkrahësit tanë të flaktë, të cilët do të motivojnë shumë për ta fituar këtë ndeshje”.

Granit Rugova, drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës:

“Secila ndeshje ka rëndësinë e vet, e tillë do të jetë edhe kjo me Rumaninë, andaj bëj thirrje tek të gjithë adhuruesit e sportit që të dielën të vijnë në numër sa më të madh për të na mbështetur, sepse kemi nevojë për përkrahje sa më të madhe të tifozëve. ‘Dardanët’ do të jenë të pranishëm në palestër në mënyrë të organizuar dhe tani na ka mbetur që të gjithë së bashku të kontribuojmë për të arritur deri te fitorja. Sa i përket ekipit, stërvitjet kanë shkuar shumë mirë, basketbollistët janë në formë të mirë. Jemi grumbulluar që nga data 18 shkurt dhe kemi punuar intensivisht në mënyrë që të komponohemi sa më mirë për duelin me rumunët. Ekipi është shumë i motivuar për këtë ndeshje, andaj ne hyjmë në fushë për të fituar”.

(Kosova Sot)