Legjenda e Man Unitedit: Pogba s’e ka ndryshuar stilin e flokëve me Solskjaer

  • 22 February 2019 - 16:09
Legjenda e Man Unitedit: Pogba s’e ka ndryshuar stilin e flokëve me Solskjaer

Legjenda e Manchester Unitedit, Eric Cantona, beson se Paul Pogba i është kthyer formës së mirë pasi që Ole Gunnar Solskjaer e ka ndryshuar mentalitetin në klub dhe tani francezi përqendrohet në futboll e jo te stili i tij i flokëve.

Fituesi i Kupës së Botës ka qenë pre e shumë kritikave që nga transferimi i tij në Manchester United, verën e vitit 2016. Shumë njerëz besonin se sjelljet e francezit jashtë fushës po ndikonin edhe te paraqitjet e tij

Jose Mourinho ishte lodhur duke tentuar ta nxjerrë më të mirën nga Pogba dhe pasi që nuk po arrinte ta bënte këtë gjë, ai e la francezin në bankën rezervë për ndeshjen e tij të fundit si trajner i “Djajve të kuq”, kundër Liverpoolit.

Që kur në pozitën e trajnerit është emëruar Solskjaer, Pogba e ka dëshmuar talentin e tij në fushë, duke i ndihmuar skuadrës së tij t’i fitojë 11 nga 13 ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Kjo gjë e ka gëzuar mjaft shumë bashkëkombësin e tij, Cantonan.

“Që kur Ole ka ardhur në ekip, ai nuk e ka ndryshuar stilin e flokëve. Ndoshta, ai ka ndikuar që Pogba ta kuptojë që prioriteti i tij duhet të jetë futbolli. Së pari, duhet të jesh i mirë në fushë dhe pastaj mund të bësh çfarë të duash”, ka thënë Cantona.

“Nëse e humbni përqendrimin sepse je duke menduar më shumë për stilin e flokëve sesa për futbollin, atëherë kjo nuk është aspak mirë. Njerëzit i duan lojtarët që janë të mirë, i duan për shkak të asaj që ata bëjnë në fushë”.

“Nëse ata shënojnë gola dhe fitojnë tituj... atëherë ata mund ta ndryshojnë stilin e flokëve, nuk ka asnjë problem. Por, së pari, përqendrimi duhet të jetë: Mendo për fitore dhe për futboll”.

(Kosova Sot)