Messi e bën realitet pikturën e gjashtë vjetëve më parë!

  • 21 March 2019 - 13:24
Messi e bën realitet pikturën e gjashtë vjetëve më parë!

Grafiku Suhas Nahian gjashtë vjet më parë e kishte dizajnuar përmes një pikture aksionin e argjentinasit në imagjinatë. Kundër Betisit, “Pleshti” e bëri realitet këtë pikturë

Lionel Messi mund t’i bëjë të gjitha

E tërë bota e futbollit tashmë e ka kuptuar: asgjë nuk është e pamundur për gjeniun e Barcelonës.

Por, kush do të vinte bast që Leo do t’i jepte jetë një pikture?

Artisti, në këtë rast, nuk është argjentinasi, i cili në karrierë ka bërë mrekulli, por është grafiku Suhas Nahian.

Messi ishte vetëm inspirim i një kreativiteti të Suhas 6 vjet më parë, ku prezantohej pesë herë futbollisti më i mirë në botë i ndjekur nga pesë futbollistë me fanellë gjelbër e bardhë, që mundoheshin ta ndalnin atë.

E të dielën që shkoi, në ndeshjen e La Ligas kundër Betisit, të cilën e fitoi Barcelona me rezultat 4:1, Messi, përpos tregolëshit, e ka bërë realitet atë dizajn: e prodhoi të njëjtin aksion që ishte imagjinuar gjashtë vjet më parë.

Futbollistët e Betisit, me fanella bardh e gjelbër, provojnë ta ndalin numrin 10 të Barçës në të gjitha mënyrat, dikush duke rrëshqitur e dikush duke e penguar me duar.

Lexo edhe këtë: UEFA: Kosova del nga errësira

Mirëpo, ai i driblon dhe kalon përpara, pikërisht si në pikturën e Suhas.

Arti që shndërrohet në realitet, këtë arriti ta bëjë vetëm Messi.

(Kosova Sot)