“Dardanët” janë gati, duan fitore ndaj Danimarkës

  • 21 March 2019 - 15:32
“Dardanët” janë gati, duan fitore ndaj Danimarkës

Tifozët besnikë të Kosovës “Dardanët” presin fitore nga Verdhekaltrit në ndeshjen e sontme ndaj Danimarkës

Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë sonte një ndeshje miqësore me Danimarkën në stadiumin “Fadil Vokrri”, e cila fillon në orën 19:00.

Dhe, Verdhekaltrit nuk do të jenë vetëm në duelin e sontëm.

Stadiumi i kryeqytetit pritet të jetë i mbushur, ndërsa as kësaj radhe nuk do të mungojnë tifozët besnikë – “Dardanët”.

Këta të fundit e kanë mbështetur gjithmonë Përfaqësuesen e Kosovës, qoftë në ndeshjet si vendëse ashtu edhe si mysafire.

Andaj, ata janë të gatshëm edhe për duelin e sontëm, ku presin fitore ndaj Christian Eriksenit me shokë.

Drejtuesit e tifozëve kryesorë të Kosovës i kanë njoftuar anëtarët e tyre rreth grumbullimit para futjes në stadium.

“’Dardanët’, gati për fitore. Takohemi të gjithë Dardanët tek parkingu mbrapa stadionit në ora 18:00!”, kanë shkruar “Dardanët” në rrjetet sociale.

Lexo edhe këtë: “Kosova e re” mbajti stërvitjen e parë në Zvicër

Ata kanë premtuar spektakël në tribuna, si sonte, ashtu edhe në ndeshjen e së hënës ndaj Bullgarisë, me të cilën Kosova do ta nisë kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020. 

(Kosova Sot)