Bastorja e famshme mahnitet nga Kosova

  • 22 March 2019 - 09:41
Bastorja e famshme mahnitet nga Kosova

“Dardanët” e dhuruan një tjetër spektakël mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku e ndalën Danimarkën që radhitet në pozitën e dhjetë në ranglistën e FIFA-s. Kjo arritje e ka lënë të mahnitur bastoren e famshme, Bet365.

“Dardanët” kishin qenë në epërsi dy herë gjatë kësaj ndeshjeje, mirëpo Danimarka arriti ta barazojë rezultatin në të dy rastet dhe ndeshja përfundoi me rezultat 2:2.

Me këtë barazim ndaj ekipit danez, që është në pozitën e dhjetë në ranglistën e FIFA-s, Kosova e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa pësuar disfatë, e cila tani po vazhdon që 11 ndeshje.

Për këtë arsye, Bet365 i ka publikuar statistikat mbresëlënëse të Kosovës dhe në fund ka sugjeruar se Anglia duhet të frikësohet nga Kosova, duke e publikuar një foto të trajnerit të Anglisë, Gareth Southgate.

“Kosova ishte lidere në grupin e Ligës së Kampioënve, me diferencë të golave +13 – më e lartë se cilido ekip tjetër kombëtar në çfarëdo gare. Ata janë në ecuri prej 11 ndeshjeve pa disfatë. Tani kanë barazuar me Danimarkën, që rangohen në pozitën e dhjetë në botë”, shkruan Bet365.

“Danimarka është e radhitur më lartë se: Argjentina, Kolumbia, Kili, Holanda, Gjermania, Meksika, Italia, Polonia, Austria. Por, ata nuk arritën ta mposhtin Kosovën prapëseprapë”.

“532 ditë – Kaq ditë kanë kaluar që nga hera e fundit që ekipi kombëtar i Kosovës ka pësuar disfatë në një ndeshje futbolli”.

“Kur e kupton se duhet të luash dy herë kundër Kosovës së lavdërishme në kualifikimet për EURO 2020”.

Kosova e mbylli pjesën e parë duke qenë në epërsi me rezultat 1:0, pas golit të shënuar nga qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, në minutën e 42-të të ndeshjes.

Megjithatë, pjesa e dytë e kësaj ndeshjeje miqësore erdhi me tri gola të tjera. Fillimisht ishin danezët ata që e barazuan rezultatin, përmes Christian Eriksenit, i cili u tregua i saktë nga pika e penalltisë në minutën e 63-të të ndeshjes.

Vetëm tre minuta iu deshën djemve të Bernard Challandes për t’iu kundërpërgjigjur këtij goli. Në minutën e 66-të, Bersant Celina e kaloi Kosovën përsëri në epërsi.

Megjithatë, “Dardanët” nuk arritën ta mbajnë rezultatin deri në fund të ndeshjes dhe danezët e nxorën një barazim përmes golit të shënuar nga Pierre-Emile Hojbjerg, në minutën e 91-të.

(Kosova Sot)