Trajneri i Danimarkës: Kosova do të jetë surprizë edhe për Anglinë

  • 22 March 2019 - 09:48
Trajneri i Danimarkës: Kosova do të jetë surprizë edhe për Anglinë

Trajneri i Danimarkës, Age Hareide, mbeti i habitur nga paraqitja e mirë e Kosovës në ndeshjen e mbrëmshme, e cila përfundoi me rezultat 2:2, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

“Dardanët” kishin qenë në epërsi dy herë gjatë kësaj ndeshjeje, mirëpo Danimarka arriti ta barazojë rezultatin në të dy rastet dhe ndeshja përfundoi me rezultat 2:2.

Me këtë barazim ndaj ekipit danez, që është në pozitën e dhjetë në ranglistën e FIFA-s, Kosova e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa pësuar disfatë, e cila tani po vazhdon që 11 ndeshje.

Trajneri Heraide e vlerësoi paraqitjen e Kosovës si thirrje për t’u zgjuar për ekipin e tij. Ai vlerësoi se Kosova do ta mposhtë Bullgarinë në ndeshjen e radhëse mund të jetë surprizë edhe për Anglinë.

“Kosova ka skuadër me të vërtetë të talentuar. Mendoj se do të fitoni kundër Bullgarisë. Kosova do të jetë vend surprizë edhe për Anglinë”, ka thënë Heraide.

Kosova do të përballet me Anglinë fillimisht më 9 tetor, e pastaj skuadra e Gareth Southgate do të vijë në stadiumin “Fadil Vokrri”, më 17 nëntor. Këto dy ndeshje do të jenë të vlefshme për Grupin A në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Në këtë grup janë edhe Bullgaria, Republika Çeke dhe Mali i Zi. Ndeshja e radhës së Kosovës, e cila do të zhvillohet të hënën, do të jetë pikërisht ndaj Bullgarisë, kundër së cilës Kosova e fillon rrugëtimin drejt EURO 2020.

(Kosova Sot)