Gazeta daneze: Para tifozëve të zhurmshëm e të zjarrtë në “Fadil Vokrri”, Danimarka ishte zhgënjyese

  • 22 mars 2019 - 10:35
Gazeta daneze: Para tifozëve të zhurmshëm e të zjarrtë në “Fadil Vokrri”, Danimarka ishte zhgënjyese

E përditshmja daneze, Politiken, e ka lavdëruar Kosovës dhe tifozët e pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri”, pas ndeshjes miqësore të mbrëmshme mes “Dardanëve” dhe Danimarkës.

“Dardanët” kishin qenë në epërsi dy herë gjatë kësaj ndeshjeje, mirëpo Danimarka arriti ta barazojë rezultatin në të dy rastet dhe ndeshja përfundoi me rezultat 2:2.

Me këtë barazim ndaj ekipit danez, që është në pozitën e dhjetë në ranglistën e FIFA-s, Kosova e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa pësuar disfatë, e cila tani po vazhdon që 11 ndeshje.

“Takimi me ekipin e radhitur në pozitën e 130-të në ranglistën e FIFA-s ishte afër t’i japë fund ecurisë së ndeshjeve pa pësuar disfatë në kohë të rregullt për ekipin danez të Age Hareides”, shkruan Politiken.

“25 ushtarë danezë në Kosovë kishin marrë bileta për ta përcjellë nga afër këtë ndeshje dhe nga pozita e tyre në stadiumin, ata ishin dëshmitarë të një ekipi jo edhe aq të mirë të Danimarkës në pjesën e parë”.

“Me mbështetjen e madhe nga spektatorët e zhurmshëm dhe të zjarrtë në Prishtinë, ishte ekipi vendas ai që ishte më i rrezikshëm. Sulmuesi Vedat Muriqi, mes gjërave të tjera, erdhi shumë afër golit pas gjysmë ore lojë”.

“Në anën tjetër, danezët ishin plotësisht të padëmshëm. Martin Braithwaite ishte i përfshirë në shumë aksione, mirëpo skuadra daneze nuk përfitoi shumë nga këmbët e tij deri ën pjesën e dytë të ndeshjes”.

Kosova e mbylli pjesën e parë duke qenë në epërsi me rezultat 1:0, pas golit të shënuar nga qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, në minutën e 42-të të ndeshjes.

Megjithatë, pjesa e dytë e kësaj ndeshjeje miqësore erdhi me tri gola të tjera. Fillimisht ishin danezët ata që e barazuan rezultatin, përmes Christian Eriksenit, i cili u tregua i saktë nga pika e penalltisë në minutën e 63-të të ndeshjes.

Vetëm tre minuta iu deshën djemve të Bernard Challandes për t’iu kundërpërgjigjur këtij goli. Në minutën e 66-të, Bersant Celina e kaloi Kosovën përsëri në epërsi.

Megjithatë, “Dardanët” nuk arritën ta mbajnë rezultatin deri në fund të ndeshjes dhe danezët e nxorën një barazim përmes golit të shënuar nga Pierre-Emile Hojbjerg, në minutën e 91-të.

(Kosova Sot)