Swansea City e feston golin e Celinës për Kosovën

  • 22 March 2019 - 11:31
Swansea City e feston golin e Celinës për Kosovën

Bersant Celina e bëri krenar klubin e tij, Swansea Cityn, duke shënuar gol në ndeshjen miqësore kundër Danimarkës, që radhitet në pozitën e dhjetë në ranglistën e FIFA-s.

“Dardanët” kishin qenë në epërsi dy herë gjatë kësaj ndeshjeje, mirëpo Danimarka arriti ta barazojë rezultatin në të dy rastet dhe ndeshja përfundoi me rezultat 2:2.

Me këtë barazim ndaj ekipit danez, që është në pozitën e dhjetë në ranglistën e FIFA-s, Kosova e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa pësuar disfatë, e cila tani po vazhdon që 11 ndeshje.

Mirëpo, klubi britanik, i cili garon në Championship, nivelin e dytë të futbollit në Angli, ishte i impresionuar veçanërisht me golin e Bersant Celinës, i cili e shënoi golin e tij të parë për Kosovën.

“Punë e mirë, #BC10. Bersant Celina ishte i saktë dhe e shënoi golin e tij të parë për Kosovën, në barazimin 2:2 të tyre në ndeshjen miqësore kundër Kosovës, që u zhvillua mbrëmë”, shkruan faqja zyrtare e Swansea Cityt në Twitter.

Kosova e mbylli pjesën e parë duke qenë në epërsi me rezultat 1:0, pas golit të shënuar nga qendërmbrojtësi Amir Rrahmani, në minutën e 42-të të ndeshjes..

Megjithatë, pjesa e dytë e kësaj ndeshjeje miqësore erdhi me tri gola të tjera. Fillimisht ishin danezët ata që e barazuan rezultatin, përmes Christian Eriksenit, i cili u tregua i saktë nga pika e penalltisë në minutën e 63-të të ndeshjes.

Vetëm tre minuta iu deshën djemve të Bernard Challandes për t’iu kundërpërgjigjur këtij goli. Në minutën e 66-të, Bersant Celina e kaloi Kosovën përsëri në epërsi.

Megjithatë, “Dardanët” nuk arritën ta mbajnë rezultatin deri në fund të ndeshjes dhe danezët e nxorën një barazim përmes golit të shënuar nga Pierre-Emile Hojbjerg, në minutën e 91-të.

(Kosova Sot)