“Kosova ka gjasat më të vogla për t’u kualifikuar në Evropian”

  • 22 March 2019 - 13:26
“Kosova ka gjasat më të vogla për t’u kualifikuar në Evropian”

Përkundër ecurisë së mrekullueshme dhe arritjes në Ligën e Kombeve, ekipi kombëtar i Kosovës mbetet skuadra me gjasat më të vogla për t’u kualifikuar nga Grupi A në Kampionatin Evropian 2020, sipas bastoreve.

Përderisa bastoret parashikojnë se shumë grupe kualifikuese për EURO 2020 do të jenë shumë të komplikuara, Grupi A nuk pritet të jetë i tillë

Në Grupin A marrin pjesë Kosova, Anglia, Bullgaria, Republika Çeke dhe Mali i Zi. Ndeshja e radhës së Kosovës, e cila do të zhvillohet të hënën, do të jetë pikërisht ndaj Bullgarisë, kundër së cilës Kosova e fillon rrugëtimin drejt EURO 2020.

Sipas bastoreve sportive, Anglia pritet ta fitojë grupin, me kuotë 1.2. Pas saj radhiten Republika Çeke (6.0),  Bullgaria (31.0) dhe Mali i Zi (34.0).

E fundit radhitet Kosova, e cila përkundër ecurisë prej 11 ndeshjeve e pamposhtur dhe paraqitjes mbresëlënëse në ndeshjen miqësore ndaj Danimarkës, kuotohet me 41.0 për t’u kualifikuar si fitues i Grupit A në EURO 2020.

Megjithatë, edhe nëse parashikimet e bastoreve rezultojnë të jenë të sakta, skuadra e Bernard Challandes e ka edhe një tjetër mundësi për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian, përmes rrugës së play-offs, ku e siguroi vendin me fitoren e Grupit 3 të Ligës D në garën inauguruese të UEFA-s, Ligën e Kombeve.

(Kosova Sot)