“Besoj se të hënën do ta gëzojmë Kosovën”

  • 22 March 2019 - 19:22
“Besoj se të hënën do ta gëzojmë Kosovën”

Muriqi beson se stadiumi “Fadil Vokrri”, do të jetë vendi ku “Dardanët” do t’i shkaktojnë probleme çdo kundërshtari që do të zbresë në fushë dhe është i bindur se Kosova mund të arrijë shumë në kualifikimet për “Euro 2020”.

Vedat Muriqi, në një intervistë për SuperSport tregoi emocionet e barazimit me Danimarkën si dhe përcolli optimizëm për ecurinë e Kosovës në eliminatorët e Europianit.

Muriqi komentoi edhe deklaratën e trajnerit të Danimarkës, Age Hareide, i cili para ndeshjes tha “për ne do të jetë ndeshje stërvitore”, deklaratë të cilën në njëfarë mënyre e ndryshoi pas takimit dhe lavdëroi Kosovën për paraqitjen.

“Besoj keni fjetur mirë pas një rezultati pozitiv me Danimarkën? Pas lojërave të tilla nuk mund të bësh gjumë të rehatshëm. Më ka zënë gjumi vonë, tani do të shohim çfarë do të bëjmë deri të hënën, u përgjigj Muriqi.

“Trajneri i tyre pat deklaruar se do të ishte thjesht një ndeshje stërvitore, por në të vërtetë nuk rezultoi e tillë. Besoj se edhe ai është mahnitur me lojën tonë”, shtoi ai.

Muriqi foli edhe për ndeshjen e së hënes me Bullgarinë.

Sulmuesi i Kosovës beson se të hënën do t’i gëzojnë gjithë shqiptarët dhe do të arrijë fitore në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ai mendon se paraqitje me Danimarkën, është tregues i qartë se Kosova mund t’i rrëmbejë pikët e para të hënën në rrugën drejt Euro 2020.

“Jam shumë optimist, sepse kemi një ekip shumë të mirë dhe kompakt, kemi lojtarë në formë. Bullgarisë i mungojnë dy lojtarë titullarë, kështu që i dimë mangësitë e tyre. Besoj se të hënën kemi për ta gëzuar Kosovën”, theksoi mes tjerash Muriqi. 

(Kosova Sot)