Kosova në ranglistën e FIFA-s: Si do të ndikojë rezultati i ndeshjes kundër Bullgarisë

  • 23 March 2019 - 20:33
Kosova në ranglistën e FIFA-s: Si do të ndikojë rezultati i ndeshjes kundër Bullgarisë

Ndeshja kundër Bullgarisë do të jetë shumë e rëndësishme për Kosovën pasi që aty skuadra e Challandes do ta nisë rrugëtimin drejt kualifikim në EURO 2020.

Kjo ndeshje, e cila do të zhvillohet të hënën, do të ketë mjaft shumë rëndësi edhe për rangimin e Kosovës në FIFA pasi që rëndësia e ndeshjes vlerësohet me 25 pikë nga FIFA, në krahasim me 10 pikëshin e ndeshjes me Danimarkën.

 

Nëse Kosova fiton në këtë ndeshje, ajo do t’i fitojë 19.25 pikë, pasi që edhe Bullgaria ka rangim mjaft të mirë në FIFA. Ajo radhitet në pozitën e 48-të, me gjithsej 1425 pikë të grumbulluara.

Në rastin e barazimit, Kosova i fiton 6.75 pikë, ndërsa në rast disfate i humb 5.75 pikë. Kosova aktualisht i ka 1113 pikë dhe radhitet në pozitën e 130-të.

Nga ndeshja me Danimarkën, Kosova i fitoi 3.6 pikë, të cilat së bashku me pikët që fitohen apo humben nga ndeshja me Bullgarinë do t’i shtohen pikëve aktuale, 1113.

Sipas rregullave të reja të FIFA-s për këtë ranglistë, ndeshjet miqësore kanë më pak vlerë sesa ato me karakter garues. Në numrin e pikëve të fituara nga secila ndeshje ndikon edhe niveli i kundërshtarit.

Algoritmi i FIFA-s i grumbullon pikët sipas formulës së paraqitur më poshtë:

P=Pmëparshme+R*(W-We)

Me shkronjën P shënohet numri i pikëve total.

Pmëparshme – Pikët në ranglistën e FIFA-s, para fillimit të kësaj ndeshjeje

R – Rëndësia e ndeshjes

R=5 për ndeshjet miqësore jashtë kalendarit të ndeshjeve ndërkombëtare

R=10 për ndeshjet miqësore brenda kalendarit të ndeshjeve ndërkombëtare

R=15 për ndeshjet e fazës së grupit në Ligën e Kombeve

R=25 për ndeshjen eliminatore dhe të play-offs në Ligën e Kombeve

R=25 për ndeshjet kualifikuese në garat e konfederatave dhe për kualifikim në Kupën e Botës

R=35 për ndeshjet e fazës eliminatore në garat e konfederatave deri në fazën çerekfinale

R=40 për ndeshjet e fazës eliminatore në garat e konfederatave pas fazës çerekfinale

R=50 për ndeshjet e Kupës së Botës deri në fazën çerekfinale

R=60 për ndeshjet e Kupës së Botës pas fazës çerekfinale

W – Rezultati i ndeshjes

Fitore=1; Barazim=0.5; Disfatë=0

We – Rezultati i pritur e ndeshjes

dr– diferenca në rangim mes dy skuadrave

FIFA  e përditëson ranglistën e kombëtareve pas cdo afati të ndeshjeve kombëtare. Që nga koha kur Bernard Challandes e ka marrë drejtimin e Kosovës, “Dardanët” vazhdimisht janë ngritur në këtë ranglistë, ndërsa tani e mbajnë pozitën më të lartë ndonjëherë, atë të 130-të.

(Kosova Sot)