Arbër Zeneli, i emocionuar për ndeshjen me Bullgarinë: Do të luajmë para tifozëve tanë të zjarrtë

  • 23 March 2019 - 20:37
Arbër Zeneli, i emocionuar për ndeshjen me Bullgarinë: Do të luajmë para tifozëve tanë të zjarrtë

Pas stërvitjes së mbajtur sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, Arbër Zeneli e ka komentuar ndeshjen e së hënës, kundër Bullgarisë.

Kosova do ta nisë rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020 me përballjen kundër Bullgarisë, për të cilën ylli kosovar i Reims, Arbër Zeneli është shumë i emocionuar.

Zeneli e ka komentuar edhe ndeshjen e fundit, kundër Danimarkës, të cilën “Dardanët” ishin shumë afër për ta fituar, por një gol i shënuar nga danezët në minutat e fundit bëri që ndeshja të përfundonte me rezultat 2:2.

“Ndeshja me Bullgarinë është shumë e rëndësishme për ne dhe mendoj se miqësorja me Danimarkën na ka ndihmuar që të hyjmë në ritmin tonë”, ka thënë Zeneli.

“Ai gol i pësuar në sekondat e fundit të ndeshjes me danezët na ka zhgënjyer paksa, por atmosfera në kombëtare është shumë e mirë dhe të gjithë jemi të përqendruar te dueli me bullgarët për të dhënë 100 përqindëshin tonë”.

“Në çdo lojë që hyjmë kemi respekt për kundërshtarin, por edhe ata tashmë kanë respekt të madh për ne, ngase e dinë se çfarë ekipi kemi. Realisht kemi sulmues shumë të mirë dhe jemi të bashkuar si ekip”.

“Secili futbollistë po e pret me padurim ndeshjen, sepse do të luajmë në fushën tonë para tifozëve tanë të zjarrtë, prandaj emocionet janë të mëdha”. 

(Kosova Sot)