Shqipërisë i ka humb rruga n'oborr, mposhtet përsëri nga Turqia

  • 23 March 2019 - 21:52
Shqipërisë i ka humb rruga n'oborr,  mposhtet përsëri nga Turqia

Tjetër humbje e Shqipërisë me Turqinë, këtë herë në “Elbasan Arena” në sfidën e 21-vjeçarëve në eliminatoret e Euro 2021. Formacioni i Alban Bushit u mposht 1-2, por ndryshe nga paraqitja e Kombëtare A, Shpresat meritonin shumë më tepër, por ishin të pafat në konkludimin e aksioneve si dhe u nuk u favorizuan nga vendimi i kryesorit, që duhet të kishte akorduar një 11-metërsh në favor të kuqezinjve në kohën shtesë.

Turqia e zhbllokoi takimin që në minutën e 10-të me sulmuesin kryesor Juksel, që realizoi me kokë, pas një harkimi në zonë nga goditja e dënimit.

Vetëm 10 minuta më vonë kuqezinjtë 21-vjeçarë barazuan me Shaqir Tafën pas goditjes së këndit.

Kombinime mjaft të bukura të Kallakut dhe Malës me kapitenin e Shpresave që pasoi në zonë te Vrioni, por ky i fundit nuk arriti të gjente golin, pasi u ndal nga mbrojtja.

Sulmuesi i Venezzias tregoi klasin e tij duke shënuar në minutën e 42-të, por, fatkeqësisht, në pozicion të parregullt.

Edhe në të 60-ën ishte i pafat, pasi portieri turk i mohon golin Vrionit (devijoi me kokë).

Dhe kur nuk shënon, e pëson. Në minutën e 78-të Turqia shënoi golin e dytë pas një veprimi të bukur në zonë të Ozkan, që e dërgoi topin në cepin e majtë të portës së Dajsinanit.

Shqipëria bëri të pamundurën në minutat e mbetura dhe në shtesë, por pa mundur ta shmangte humbjen.

(Kosova Sot)