Kosova shkruan historinë në Greqi

  • 23 March 2019 - 23:19
Kosova shkruan historinë në Greqi

Federata e Xhudos së Greqisë e ka lavdëruar ekipin e xhudos së Kosovës, pas sukseseve në Kupën Evropiane të Juniorëve, që u mbajt sot në kryeqytetin grek, Athinë.

Erza Muminoviq dhe Flaka Loxha ia sollën sot dy medalje të arta Kosovës, në Kupën Evropiane për Juniorë, që u mbajt sot në Greqi. Kjo ishte hera e parë që Kosova fitoi medalje të artë në territorin grek, raporton Gazeta Express.

Erza e fitoi të artën falë pesë fitoreve, katër me luftë, kategoria deri në 48 kilogramë. Medalistja e bronztë Olimpike për të reja, në finale mposhti austriaken, Jaqueline Springer.

Ndërsa, Flaka po ashtu shënoi pesë fitore, katër me luftë. Në finale të kategorisë deri në 57 kilogramë ajo mundi austriaken, Losa Grabner. Në kategorinë e njëjtë, Fationa Kasapi u eliminua në rrethin e parë.

Laura Fazliu (-63 kg) humbi luftën për medaljen e bronztë, duke përfunduar e pesta.

“Historia, e zbukuruar në të artë, u shkrua nga Kosova në Kupën Evropiane të Juniorëve në Athinë,  në qendrën olimpike Ano Liosia. Kampionia evropiane në vitin 2018, në kategorinë U18, Ezra Muminoviq, ishte në krye të podiumit në kategorinë deri në 48 kilogramë, duke e fituar medaljen e parë për Kosovën në territorin grek, përderisa rruga e artë u ndjek edhe nga Flaka Hoxha, në kategorinë deri në 57 kilogramë”, shkuan Federata e Xhudos së Greqisë.

Nesër garojnë Arbër Kullashi (-81 kg) dhe Shpat Zekaj (-100 kg). 

(Kosova Sot)